Mendimtari

I
Ditën e njëmbëdhjetë pranverave, djali i vogël Urodonal Carrier pa befas ekzistencën e Zotit: në fakt, Hyjnia i zbuloi papritur gjendjen e tij prej mendimtari dhe po të kemi parasysh se deri në atë pikë, ai ishte shquar si idiot në gjithçka, e kemi të vështirë të besojmë se Perëndia nuk kishte gisht në këtë shndërrim kaq të papritur.
Banorët e La-Houspignole-sur-Côtés do të më kundërshtojnë padyshim, me atë keqbesimin që e kanë veti të tyren, duke më folur për atë rënien me kokë të vogëlushit Urodonal, një natë më parë, dhe për nëntë nallanet e dhëna falas, në mëngjesin e ditëlindjes, nga xhaxhai i vet i mirë, i kapur në befasi duke vështruar nga mjaft afër nëse shërbëtorja i kishte ndërruar çarçafët për çdo tre javë siç ia kërkonte i ati. Por kjo qytezë është plot me ateistë, të qetësuar në mëkatin e tyre nga ligjërimet fajtore të një mësuesi të shkollës së vjetër, dhe prifti dehet tapë për çdo të shtunë, gjë kjo që i jep më pak peshë fjalës së tij të shenjtë. Megjithatë, nëse nuk jemi mësuar me këtë, nuk bëhemi dot mendimtar pa qenë të tunduar për t’ia mveshur përgjegjësinë një Forcë Eprore, dhe më e mira në këtë rast ishte që të falënderohej Zoti.
Kjo ndodhi fare thjesht. Zotëri Prifti, esëll krejt rastësisht, gjatë tërheqjes që paraprin komunionin, e pyeti Urodonalin:
– Nga ka ardhur rënia e Adamit dhe e Evës?
Askush nuk diti të përgjigjet sepse, në fshat, dashuria nuk është më një mëkat. Por Urodonali ngriti gishtin:
– E di ti? e pyeti prifti.
– Po, zotni prifti, tha Urodonali. Ishte një gabim i Gjenezës.
Prifti ndjeu duke kaluar flatrën e Shpirtit të Shenjtë dhe mbylli jakën, nga frika mos merrte ndonjë ftohmë. I dha leje djalit të largohet dhe u ul të meditojë. Tre muaj më vonë, duke medituar ende, e braktisi fshatin dhe u bë endacak.
II
Fama e Urodonalit si mendimtar u vendos që nga ajo ditë, me një forcë të shënuar në tërë La-Houspignolen. Ia përgjonin dhe fjalën më të vogël: duhet thënë se Shpirti nuk po shfaqej fare. Megjithatë, një ditë në orën e fizikës, mësuesi e pyeti në lidhje me rrymën elektrike:
– Çfarë nënkupton pra shmangia e gjilpërës së galvanometrit?
– Se ka rrymë… u përgjigj Urodonali.
Por kjo s’ishte gjë. Sepse ai vazhdoi:
– Ose ka rrymë, ose galvanometri ka dalë mendsh… me siguri që ka një mi brenda.
E kështu, Urodonalit të vogël asokohe katërmbëdhjetë vjeç ia paguan një bursë, dhe i mbaroi studimet pa menduar asgjë të re; por të gjithë e dinin për çfarë ishte i aftë.
Nga fundi i studimeve, ripushtoi një lavdi të shkëlqyer në orën e filozofisë.
– Do t’ju lexoj një mendim të Epiktetit, kishte thënë profesori.
Dhe lexoi:
«Nëse do të përparosh në studimin e urtësisë, mos refuzo fare që, mbi gjërat e jashtme, të kalosh për një idiot dhe një i trashë».
– Dhe anasjelltas… tha butësisht Urodonali.
Profesori u përkul para tij.
– Fëmija im i dashur, tha ai, nuk kam më asgjë ç’t’ju mësoj.
Meqë Urodonali u ngrit dhe doli duke e lënë derën gjysmë të hapur, profesori e thirri miqësisht:
– Urodonal… kujtohuni… dera duhet të jetë ose e hapur ose e mbyllur…
– Duhet, tha Urodonali, të jetë ose e hapur ose e mbyllur, ose të tregohet se është e ngutshme që të ndreqet brava.
Pastaj Urodonali u largua dhe mori trenin për Paris, domethënë të pushtojë kryeqytetin.
III
Në Paris, Urodonali mendoi në fillim se era e metrosë Montmartre i kujtonte erën e haleve të fshatit, por e ruajti për vete këtë vërejtje, duke e gjykuar pa ndonjë interes për parisianët. Pastaj u mundua të gjejë një punë.
U mendua gjatë para se ta ndajë mendjen për veprimtarinë së cilës dëshironte t’i përkushtohej. Meqë në La-Houspignole kishte bërë pjesë në fanfarën komunale si trompetist i dytë, deshi t’i futet muzikës.
Megjithatë, duhej një justifikim: me gjeninë e tij të zakonshme, e gjeti shumë shpejt. – Muzika, tha me vete ai, i zbut doket. – Mirëpo, doket e ashpra janë të domosdoshme për çdo njeri të mirë; dhe pra, do të ishte diçka e keqe që të jesh muzikant. Megjithatë, banorët e kësaj Babilonie nuk kanë asnjë moral: për rrjedhojë, muzika nuk paraqet asnjë rrezik për ta.
Shihet qartë se studimet e kishin mprehur aq shumë shpirtin kritik të Urodonalit saqë kjo mund të gjykohej si turbulluese. Por këtu nuk bëhej fjalë për një njeri normal, dhe organizmi i tij ishte mjaft i fuqishëm për të duruar një tru të jashtëzakonshëm.
Muzika i linte mjaft kohë të lirë Urodonalit, dhe kështu vendosi ta kërkojë udhën e vet në letërsi.
Disa orvatje të pafrytshme, larg së thari gjeninë e tij, ia frymëzuan këtë epigramë:
– Suksesi i një autori, iu tha miqve të vet, varet nga aftësia e tij pak a shumë e madhe që ta vërë veten, në letër, në lëkurën e një idioti.
Në jetën e tij dashurore, Urodonali ishte po aq i mrekullueshëm.
– Të thuash: ti nuk më do më, i tha ai Marinujës, mikeshës së vet xheloze, është njëlloj si të thuash: nuk besoj më se më do; këtë, si mund ta dish ti?
Dhe këtu, Marinuja ngeli gojëhapur.
Megjithatë, një tip kaq madhështor si Urodonali nuk mund të kënaqej me ekzistencën e rëndomtë ndërmjet Marinujës dhe trompetës.
– Të jetosh rrezikshëm… përsëriste nganjëherë, dhe ca dritëza të egra ia përshkonin vështrimin e panënshtrueshëm.
Dhe pastaj një ditë, Marinuja e gjeti të vdekur në shtrat. Që prej ca kohësh, ai kishte lidhur ca marrëdhënie fajtore me një djalë të ri keqbërës me sjellje zhvatëse, i arratisur nga një birucë ku po kryente tre muaj burg për vrasjen e dymbëdhjetë vetëve.
Megjithatë, Urodonali nuk kishte asgjë prej një djali të keq; por shpjegimin e fundit të tij të trishtë e gjetën në një përmbledhje mendimesh të pabotuara, e cila përmbante vetëm një, në faqen e parë.
– E çfarë ka më të rrezikshme sesa të vrasësh veten? - kishte shkruar Urodonali.
Dhe përnjëmend, shumë e vërtetë.
Marrë nga tiranacalling.wordpress.com