E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 librat e censuruar më të famshëm në botë

Nga Volteri te Tueini e deri te Selman Rushdi, autorët më të përfolur dhe librat më të sulmuar në botë, sipas “Time Magazine”

Aventurat e Huckleberry Finn

Në vitin 1885, Concord Public Library në Massachusetts e damkosi librin për shkak të “gjuhës së papërshtatshme”, ndërsa kritikët e “mallkuan” zhargonin e përditshëm që përdorte Mark Tuein në gjuhën e personazheve. Madje, një redaktor i atëhershëm e quajti këtë zhargon “një plehrë që i shkon më shumë për shtat vulgut sesa njerëzve intelektualë dhe të nderuar”. Autorja e librit “Gruaja e vogël”, Louisa May Alcott, deklaroi se “n.q.s. zoti Clemens (emri i vërtetë i Tuein) nuk shkruan dot diçka për të qenë, diçka që t’u përshtatet lexuesve tanë të nderuar, atëherë më mirë të heqë dorë nga e shkruara”. Në vitin 1905, edhe Libraria Publike e Bruklinit në Nju Jork ndoqi shembullin e Concordit, duke e hequr librin nga godina me sqarimin se “Huckleberry jo vetëm që shan e mallkon, por madje deformon të vërteta dhe fakte, që është turp t’i shtrembërosh”. Por, Mark Tuein, me sa duket, i priste këto kritika dhe iu përgjigj me entuziazëm, duke deklaruar: “Ju po akuzoni një të rritur pse po ha bërxollë, për shkak se foshnjat nuk e përtypin dot”. Por, edhe për fatin e mirë të Tueinit, fansat dhe admiruesit e librit ishin mijërafishi i kritikëve. Ernest Hemigway pati thënë se “është libri më i mirë që kemi. Gjithë letërsia amerikane është një prapathënie e tij. Para tij nuk ka pasur asgjë”.

Lolita

Për herë të parë u publikua në Francë, nga një shtypshkronjë pornografike. Novela, e cila daton në vitin 1955, eksploron mendjen e një pedofili jashtëzakonisht inteligjent, të quajtur Humbert Humbert, i cili rrëfen jetën e tij dhe “etjen” e tij për “vashëzat e njoma” si për shembull 12-vjeçarja Dolores Haze. Zyrtarët francezë e ndaluan librin, ashtu si dhe në Angli, Argjentinë, Zelandë të Re dhe Afrikë të Jugut. Në ditët e sotme termi ‘Lolita’ është bërë sinonim i një vajze adoleshente me jetë jashtëzakonisht të pasur seksuale, megjithëse nga ana e tij, autori Vladimir Nabokov nuk e kishte fare për qëllim këtë gjë. Në fakt, ai dogji edhe dorëshkrimin origjinal të librit, për shkak se nuk i pëlqeu. Dhe më pas pati një betejë të ashpër me botuesit, për faktin se a duhej apo jo që në kopertinën e librit të vendosej fotografia e një vajze minorene.

The Catcher in the Rye

Brenda dy javësh që nga publikimi i tij, libri i Salingerit u rendit në vend të parë në “New York Times”, si bestseller. Që atëherë, libri nuk rreshti kurrë së qeni “preja e preferuar e kritikëve, madje dhe e atyre më mediokërve”. Në vitin 1960, administratorët e një shkolle në Tusla, Oklahoma, pushuan nga puna një mësues, për faktin se ai u kishte rekomanduar nxënësve të klasës së 11-të të lexonin librin. Pavarësisht se vetëm 1 muaj më vonë mësuesi fitoi apelimin, libri në atë shkollë mbeti për një kohë të gjatë në “listën e ndaluar”. Një tjetër komunitet, kësaj radhe në Kolombus, Ohajo, e “mallkoi” librin, duke e quajtur “të kundërbardhë” dhe formoi një delegacion i cili mori përsipër ta qëronte librin nga shkollat e të gjithë shtetit. Një librari e njohur e asaj kohe e ndaloi librin, pasi ai ishte “violent, me gjuhë të theksuar seksuale, skena seksuale të turpshme, skena dhune, skena që prishin moralin e të rinjve dhe çdo gjë që mund të quhet okulte”. Kur u pyet për “ndalimqarkullimet” që iu bënë librit të tij, Salinger u shpreh: “Disa nga miqtë e mi më të mirë janë fëmijë. Madje, në fakt, të gjithë miqtë e mi më të mirë janë fëmijë, kështu që unë nuk mund ta kuptoj arsyen e ekzistencës së këtij libri n.q.s. ai shndërrohet në një tmerr për ta”. Në vitin 1980, një adoleshent i quajtur Holden Caulfield, qëlloi John Lenonin me armë, duke e vrarë. Kur policia e pyeti se pse e bëri, ai u tregoi librin si përgjigje.

Saga Harry Potter

Në vitin 2001, një grup prindërish në Leusiton, Maine, dogjën me pishtarë një mal me libra të cilët pretendonin se ishin reklamues të dhunës, shtrigave dhe puinëve djallëzorë. Departamenti i zjarrfikësve deklaroi më vonë se kjo nuk ishte një rastësi, por një protestë e organizuar me kujdes dhe me një qëllim. Sakaq Harry Potter ishte akoma duke “u formuar”, por, pavarësisht natyrës përrallore që ka libri, ia kishte dalë mbanë “që në djep” të bënte armiq anembanë vendit. Prindërit tmerroheshin nga “idetë djallëzore” që u shtinte libri në kokë fëmijëve të tyre. Edhe kur Rouling e përfundoi serinë e aventurave, Djaloshi Magjistar vazhdonte të kundërshtohej, pavarësisht se njerëzit në kinema ishin shtyrë nëpër radhë për të parë aventurat e tij.

The Anarchist Cookbook

 William Powell ishte vetëm 19 vjeç kur shkroi kultin klasik në vitin 1971. Libri revoltoi jo vetëm zyrtarët dhe qeveritarët, por edhe disa grupe anarkiste. Një grup i tillë, i ashtuquajtur CrimethInc, tha se “libri keqinterpreton idetë anarkiste” dhe më vonë kjo organizatë publikoi një libër të sajin me të njëjtin titull. Kritikët e tjerë e sulmuan librin për arsye më praktike: disa nga mënyrat e bombëbërësve që Powell përfshin në libër rezultuan shumë të pasakta dhe qesharake. Në mënyrë ironike, Powell më vonë kur u rrit dhe u “poq”, u përpoq të censuronte vetë librin e tij. Pasi u konvertua në kristian, Powell deklaroi publikisht tek Amazon.com: “Libri im ishte një produkt i keqdrejtuar nga adoleshenca ime, si pasojë e inatit dhe urrejtjes që m’u akumulua ngaqë më dërguan të luftoja në Vietnam, një luftë në të cilën nuk besoja se ishte e drejtë”. Por, edhe vetë Powell nuk mund ta kryqëzojë librin e tij, ai nuk e ka më këtë të drejtë, pasi me kohë ua ka shitur të drejtat mbi librin botuesve.

Unë e di pse këndon zogu në kafaz

Ky “memoir” i cili daton në vitin 1970 dhe është i pari prej pesë veprave autobiografike të autores Maya Angelou, i irritoi së tepërmi censorët, pasi përjashtuan në mënyrë të përsosur skenat seksuale dhe racizmin. Sidomos skenat, kur personazhi kryesor, një fëmijë tetëvjeçar, përdhunohet nga i dashuri i mamasë. Lidhja Amerikane e Librarive e renditi në vend të pestë në listën e “Librave më të luftuar”. Titulli i librit i referohet një poeme të Paul Laurence Dunbar, poeti i parë prominent afro-amerikan. Në vitin 1993, Angelou lexoi një poemë në betimin e Bill Clintonit dhe është shkrimtarja e dytë në histori që e bën këtë, pas Robert Frostit, i cili mbajti një fjalim ditën e parë të JFK (Kennedy).

Candide

Kjo satirë klasike franceze tallet me të gjitha gjërat e shenjta: ushtrinë, kishën, filozofët, madje dhe me vetë doktrinën e optimizmit. Protagonisti i veprës së Volterit përpiqet që të përshkruajë me “fjalët më të zgjedhura të mundshme” të gjitha tragjeditë që jeta i përplas në fytyrë. Efekti që shkakton kjo gjetje, është një ilaritet i jashtëzakonshëm. Fraza kulmore që shkaktoi zemërimin e qeverisë franceze të asokohshme dhe të Këshillit të Madh të Gjenevës, ishte “Le ta hamë Jezusin”. Atë vit libri shiti 30, 000 kopje, shifër e cila e bëri bestseller. Ai u ndalua në shumicën e vendeve të botës.

1984

Viti i cili ndodhet në titullin e librit, pra 1984, mund të ketë kaluar, por mesazhi që mbart ky libër, nuk do të kalojë kurrë. Ai flet për një shoqëri njerëzorë, të cilës i është hequr e drejta e fjalës, e mendimit, e privatësisë dhe shumë të tjera si këto. Libri u shkrua nga George Orwell në vitin 1949, ndërsa ai luftonte për jetë a vdekje me tuberkulozin. Libri atëherë u akuzua si dogmatik, u tha se nuk mbartte asnjë vlerë artistike, por vetëm sulmonte sistemin e Stalinit. Ironia është se më pas, në Amerikë, libri u akuzua si pro-komunist. “1984” u fut në listën e librave më të përndjekur dhe më të sulmuar nga Lidhja Amerikane e Librit pikërisht në vitin 1984.

The Satanic Verses

Ky libër u akuzua anembanë botës për keqinterpretimin dhe trajtimin blasfemik që i bënte fesë islame. Në këtë libër, autori Selman Rushdi i referohet profetit Muhamed, a. s. me emrin Mahound, i cili është emri i djallit në epokën e mesjetës. Në vitin 1989, pesë vetë vdiqën në kryengritjet që u shkaktuan në Pakistan si pasojë e publikimit të librit, dhe më pas një grup njerëzish të panjohur vranë me gurë 60 persona në Indi. Menjëherë Rushdi kërkoi ndjesë publike. Por, pavarësisht kësaj, lideri shpirtëror i Iranit, Ayatullah Ruhollah Khomeini, e dënoi publikisht me vdekje autorin e librit dhe vuri një çmim 1 milion dollarë amerikanë për këdo që do të vriste Rushdiun. N.q.s. vrasësi do të ishte iranian, për shkak se do ta bënte popullin e tij krenar, do të merrte 3 milionë dollarë. Ndërkohë që vendet evropiane tërhoqën trupat diplomatike nga Teherani, disa shkrimtarë myslimanë, përfshi këtu edhe nobelistin Naguib Mahfouz, i dolën në mbrojtje Rushdiut, duke deklaruar se një censurë e tillë mund të cilësohet terrorizëm. Por, në Venezuelë, kushdo që kishte këtë libër, ligjërisht dënohej më 15 muaj burg. Në Japoni u ndalua rreptësisht libri, madje një përkthyes që po e përkthente në japonisht, u vra nga persona të panjohur. Dy nga librashitësit më të mëdhenj në SHBA, Ualdenbooks dhe Barnes & Noble, e hoqën librin nga vitrinat e tyre, pasi morën kërcënime me vdekje.

Brave New World

Huksli, autor i librit, u detyrua të priste shumë vjet derisa libri i tij të shiste kopjen e parë. Në vitin 1932, libri u ndaluan në SHBA. Ai u akuzua se përmbante shumë skena të dhunshme, shumë skena ku bëhej drogë, dhe një “studim” nxori përfundimin se ai nxiste adoleshentët në vetëvrasje. Në fakt, libri fliste për shekullin XXVI, kur rinia amerikane përtypte vetëm çamçakëz, ku truri i tyre shpëlahej vazhdimisht nga reklamat televizive, ku filmat pornografikë shërbenin si qetësues të shpirtit dhe ndihmonin rritjen e nivelit të pacifizmit në botë dhe ku Henry Ford, i markës së makinave Ford, ishte zoti i botës. Në atë libër, personazhet nuk thonë “our Lord” (Zoti ynë), por, thonë “our Ford” (Fordi ynë). Autori ka parodizuar moton e prodhimit në masë të Fordit dhe në libër tregon se njerëzit nuk do të prodhojnë vetëm makina në masë, por gjithçka, madje edhe njerëz në masë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›