Mëngjes me lajme kronike, dy aksidente fatale, një familje tenton të hyjë në ambasadën e SHBA
-Katër anëtarë të një familje nga Mirdita kërkojnë azil në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Familjarë të familjes Kola tentuan të hyjnë në ambientet e ambasadës në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm, por u ndaluan nga rojet e sigurisë së ambasadës. Pas tentativës për të hyrë në ambasadë, familjarët u dërguan në komisariatin nr 1 të kryeqytetit. Kryefamiljari Zef Kola është shprehur se familja ka probleme në qytetin e tyre.
-Aksident i rëndë në orët e para të mëngjesit në Mat. Në komunën Lis një person ka gjetur vdekjen. Mësohet se viktima është Vladimir Drishti, 43 vjeç, drejtuesi i automjetit.
-Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se një furgon me targa Shkodre ka dalë nga rruga, duke u përplasur më murin rrethues të një godine. Si pasojë e aksidentit të rëndë ka humbur jetën pasagjeri i furgonit Ben Pepaj, ndërkohë që është plagosur drejtuesi i mjetit Agustin Vuçinaj.
-75 kilogramë hashash janë kapur nga policia e Gjirokastrës dhe katër banorë të Lazaratit janë shpallur në kërkim pas një kontrolli të policisë mëngjesin e së hënës. Personat po transportonin sasinë e hashashit ndërsa kanë parë patrullat e policisë. Ata kanë braktisur sasinë e drogës dhe janë larguar në këmbë për në fshatin Lazarat, ku policia vazhdon të mos hyjë duke e trajtuar si një tjetër shtet.