Merdani për ATSH-në: Mbi 1 milion turistë vizituan Beratin gjatë vitit 2024

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Qyteti i një mbi një dritareve gjatë vitit që sapo lamë pas, ka shënuar një “bum” turistik.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha për ATSH -në se “Berati gjatë vitit 2024 kaloi shifrën e 1 milion turistëve. Kalaja e qytetit dhe pa dyshim Muzeu Ikonografik “Onufri”, që shpalos në ikonat e tij bashkëjetesën fetare ndër shekuj, mbeten pikat më të frekuentuara. Edhe lagjet “Mangalem” e “Goricë”, pjesë e UNESCO-s, kanë tërhequr turistë të shumtë vendas e të huaj”.
“Turistët që vizituan Beratin treguan interes për qytetin tonë, në të cilin çdo gur ka një histori për të treguar”, tha Merdani.
Merdani u shpreh se “risia e këtij viti ishte numri i lartë jo vetëm i turistëve, por edhe i vizitorëve nga brenda vendit. Shumë zgjodhën Beratin për të kaluar sidomos fundjavat e gjata të festave. Kalendari i ngjeshur i aktiviteteve është vetëm një nga arsyet. Kantinat e verës dhe turet degustuese, zhvillimi me hapa të shpejtë i agroturizmit, produktet cilësore bio, mali i Tomorit dhe kanionet në qarkun e Beratit, janë disa nga arsyet pse 1 milion turistë dhe vizitorë zgjodhën Beratin në vitin 2024”.
Sipas saj, turistët që vizituan Beratin ishin nga vende të ndryshme të botës, si Franca, Spanja, Italia, Gjermania, Polonia, por edhe nga vendet aziatike.
“E veçanta e vitit të kaluar në Berat dhe rrethina ishte rezervimi i turistëve të huaj në hotele e bujtina deri në muajin nëntor, por edhe për ndërrimin e viteve turistë të shumtë, por edhe vendas zgjodhën ta presin në qytetin e një mbi një dritareve. Për vitin 2025 synimet e bashkisë janë tejkalimi i kësaj shifre. Ndërkohë që qëllimi ynë është që Berati të ketë sezon turistik gjatë gjithë vitit”, tha Merdani.
Berati, i njohur për bukurinë e tij piktoreske dhe trashëgiminë e pasur kulturore, u ofron vizitorëve një vështrim në të kaluarën magjepsëse të Shqipërisë dhe një shije të mikpritjes së tij të ngrohtë.
Gjëja e parë që vë re në Berat është mjedisi i tij mahnitës natyror. Qyteti është i ndarë në dy pjesë të dallueshme: Kalaja dhe Mangalemi. Të dyja janë vendosur në sfondin e maleve të Tomorit dhe lumi Osum gjarpëron nëpër luginë, duke krijuar një pamje magjepsëse. Përtej lumit Osum, gjendet lagjja Goricë, me shtëpitë e saj që përballen me shtëpitë e Mangalemit. Ura me harqe e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780, është një monument i bukur arkitekturor i ndërtuar për të lidhur Goricën me Mangalemin. Shtëpitë e bardha të epokës osmane në qytetin e vjetër me dritaret e tyre të shumta krijojnë një spektakël unik arkitekturor, që i ka dhënë Beratit pseudonimin e tij.
/k.s//a.f/r.e/