Merkel: Greqia nuk ka nevojë për ndihmë financiare nga BE
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka deklaruar se Greqia nuk ka nevojë për ndihmë financiare nga Bashkimi Europian dhe se ndihma për qeverinë e Athinës nuk duhet të jetë fokusi i takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të Bashkimit Europian. Komentet e kancelares bëhen vetëm disa ditë pasi Komisioni Europian i bëri thirrje Gjermanisë dhe qeverive të tjera të eurozonës të mbështesin Greqinë me hua. Presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso tha se një zotim i tillë për ndihma është i nevojshëm për stabilizimin e Euros. Merkel tha në fjalimin e saj radiofonik, drejtuar gjermanëve se miratimi i një plani shpëtimi për Greqinë në takimin e nivelit të lartë të Brukselit të enjten do të destabilizonte edhe më tej tregjet duke ngjallur shpresa fallso. Kryeministri i Greqisë, Jorgo Papandreu tha se qeveria e tij nuk pret që të huajt të paguajnë borxhet e vendit të tij. Por ai tha se vendi ka nevojë për premtime për ndihma nga vendet e eurozonës për të parandaluar spekullantët dhe për të mbajtur të ulët koston e marrjes hua. Më herët kryeministri italian, Silvio Berluskoni deklaroi se Italia është plotësisht në favor të faktit që BE të ndihmojë Greqinë.