E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel: Ja si do të shpëtojmë nga kriza

Veprime të përbashkëta, taksë mbi bankat, sanksione për shkelësit e rregullave

Kancelarja gjermane, Merkel, ka kërkuar dje me forcë të madhe krijimin e një sistemi rregullator për bankat dhe gjithë tregjet financiare. Ajo tha se qeveritë e vendeve më të zhvilluara duhet që të verojnë së bashku dhe të nisin të shfaqin shenja force përmes shtrëngimit të rregullave financiare.
Komentet e Kancelares gjermane vijnë një ditë pasi ajo paralajmëroi hapur në Parlament se monedha e përbashkët euro “ishte në rrezik të madh” nëse nuk do të ndërmerrej një aksion i vërtetë shpëtimi. Gjermania ndërkohë ka inatosur vendet e tjera europiane duke ndërmarrë e vetme veprimin e ndalimit të disa procedurave financiare. Kjo ka ndodhur ndërsa Merkel u përpoq që të fitonte mbështetjen e Parlamentit për kontributin që i duhet të japë Gjermanisë në paketën për shpëtimin financiar të Greqisë dhe në atë për shpëtimin e gjithë vendeve problematike të Eurozonës. Merkel, në një konferencë ndërkombëtare në Berlin në lidhje me takimin e ardhshëm të G20-s në Kanada, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm, tha se ndër veprimet kryesore që duheshin ndërmarrë për të ndaluar krizën, ishin: rregulla më strikte për tregjet ndërkombëtare, të cilat sipas Merkelit duhet të jenë etapa që duhen respektuar më së miri në të gjitha vendet e Eurozonës; vendosja e një takse të posaçme ndaj të gjitha institucioneve financiare; disiplinë më të madhe buxhetore nga ana e qeverive të vendeve të Bashkimit Europian; vendet që do të thyejnë rregullat në lidhje me borxhet dhe deficitin buxhetor, do të përballen me penallti shumë strikte, ndër të cilat do të përfshihet ndërprerja e fondeve të Bashkimit Europian dhe heqja e së drejtës së votës; një mënyrë më të koordinuar të heqjes së masave të stimulit ekonomik ndaj institucioneve financiare që u vunë në zbatim gjatë krizës ekonomike.

Merkel u ka bërë thirrje edhe vendeve të G20-s që të bashkërendojnë veprimet e tyre, nëse nuk do të duan që të vuajnë nga të njëjtat probleme të mëdha të deficitit buxhetor në një të ardhme të afërt. “Nëse duam që të kemi një rend global dhe një qeverisje globale, na duhet që të kuptojmë njëri-tjetrin”, ka deklaruar ajo. Megjithatë, sipas disa analistëve thirrja për një veprim të unifikuar bie ndesh me veprimin e Gjermanisë deri më tani, duke qenë se ajo ka vepruar e vetme për shumë kohë. Vetëm dy ditë më parë, para Parlamentit të saj Merkel tha se aktualisht euroja po përballet me një krizë ekzistenciale dhe se rrënimi i saj do të ishte rrënimi i Europës. Në këtë kuadër ajo bëri thirrje për marrjen e masave të ashpra dhe të koordinuara për të shpëtuar monedhën, por edhe ardhmërinë e Europës. Por ndërsa Merkel vuri alarmin, ministrja franceze e Financave deklaroi dje se gjithsesi monedha nuk ishte në rrezik. Në një intervistë të dhënë për një radio, ajo deklaroi se monedha ishte e stabilizuar dhe krejtësisht jashtë rrezikut. Për sa u përket tregjeve, euroja ka vazhduar rënien e saj edhe gjatë ditës së djeshme.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›