E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesi që falsifikonte dëftesat ishte dënuar njëherë për këtë vepër

Gjimnazi Thellohet skandali në Fier. Drejtoria Rajonale Arsimore nis kontrollet në shkollat e tjera

Mësuesi i fizkulturës që falsifikonte dëftesat e shkollës së mesme në gjimnazin e Levanit ishte dënuar edhe njëherë tjetër për të njëjtën vepër penale. Precedenti është konfirmuar dje nga Policia e Fierit, që sqaroi se Asllan Hetemi ka qenë nën hetim për pesë muaj gjatë vitit 2006, si i dyshuar për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve, ndërsa në vitin 2008 ai është dënuar me gjobë për këtë vepër penale.

Zbulimi i këtyre fakteve ka bërë që Policia dhe Prokuroria e Fierit të zgjerojnë hetimet për të mësuar edhe mënyrën se si ka mundur një person i dënuar në vitin 2008 për abuzime të emërohej përsëri mësues, duke iu krijuar mundësia për të përsëritur veprën penale.

Drejtoresha e Arsimit në Fier, Suzana Numani, tha dje se nuk kishte pasur dijeni për gjendjen penale të mësuesit të fizkulturës, pasi në dosjen e paraqitur prej tij në kohën e emërimit në shkollën e Levanit përfshiheshin vetëm dokumente që kanë të bëjnë me arsimimin dhe përvojën në punë.
Ndërkohë, autoritetet arsimore në shkallë qarku kanë nisur dje kontrollet e imtësishme në pothuajse të gjitha shkollat e tri rretheve: Lushnjë, Fier e Mallakastër. Grupet e inspektimit të ngritura menjëherë pas publikimit të skandalit të Levanit, kanë nisur kontrollin e tyre me shkollat periferike, ndërsa deklarojnë se do të vijojnë edhe në shkollat jopublike, që ndodhen në qendrat urbane. Frekuentimi i shkollës nga të gjithë nxënësit e klasave X, XI dhe XII ka qenë objektivi i parë i kontrollit të arsimit, ku mendohet se fshihet edhe skema e korrupsionit për ata gjimnazistë që nuk e vijojnë shkollën e mesme, por që u njihet pas pagesave që ata kryejnë nën dorë. Sipas burimeve nga Drejtoria Rajonale e Arsimit në Fier, mësohet se një fenomen i tillë është më shumë i përhapur në shkollat private, ku frekuentimi i shkollës fshihet nga administratorët dhe lë mjaft për të dëshiruar.

“Megjithatë, pas ngjarjes së Levanit kontrolli do të jetë më i rreptë dhe nuk do të tolerohet qoftë edhe me një mungesë”, ka thënë drejtoresha e Drejtorisë Rajonale Arsimore Fier, Suzana Numani. Pritet që brenda kësaj jave Drejtoria Arsimore e Fierit të ketë një raport të saktë të situatës së shkollave në shkallë qarku, ndërkohë që hetimet në shkollën e Levanit janë thelluar.

Përveç katër regjistrave të sekuestruar nga policia gjatë javës që u mbyll, dje janë bllokuar edhe regjistrat e viteve të shkuara. Kjo, për faktin se mësuesi Asllan Hetemi ka vite që punon në këtë shkollë dhe dyshohet se ka kryer edhe më parë falsifikim të dëftesave të vitit të katërt apo të viteve të tjera të shkollës së mesme. Hetimet janë shtrirë që nga viti 2005 e deri më sot. Tre drejtorë ka ndërruar gjatë kësaj periudhe shkolla e Levanit dhe po shihet nga policia një lidhje e mundshme mes tyre dhe mësuesit të vënë në pranga. Gjatë së enjtes, drejtoresha e shkollës, Sanie Dulla, ka shkuar në shkollë vetëm një orë gjatë paradites, ndërkohë që mësohet se nuk e ka mirëpritur nisjen e hetimeve ndaj saj, si edhe vendimin e drejtorisë arsimore për ta shkarkuar. Ajo është emëruar në krye të gjimnazit vetëm tetë muaj më parë. Pikërisht për këtë periudhë policia ka në dorë katër praktika të kryera në mënyrë abuzive dhe korruptive nga ana e saj dhe mësuesit të fizkulturës Asllan Hetemi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›