Merkel në Serbi, priten mesazhe të forta

Vizita e kancelares gjermane në Beograd, Angela Merkel, nuk do të sjellë lajme të mira për Serbinë, sidomos kur të diskutohet për Kosovën.
Kur është fjala te bashkëpunimi ekonomik, situata do të jetë ndryshe, meqë në këtë aspekt priten përmirësime të raporteve.
Sipas mediave serbe, vizita e kancelares Merkel do të thotë presion i ri i Bashkimit Evropian që ta dorëzojnë veriun e Kosovës te autoritetet në Prishtinë dhe që të caktohet kufiri në mënyrë që të pritet data për bisedime me BE-në.
“Blic” shkruan se askush nga ministrat në qeveri nuk ka dashur të përgjigjet nëse situata në Kosovë do të ndikojë në vazhdimin e bisedimeve për integrimin evropian, e as nëse vizita e kancelare gjermane është e ndërlidhur me kushtëzimet që Kosova të shihet nga Serbia si shtet fqinj.
Në një deklaratë të shkurtër, shefi i zyrës qeveritare për marrëdhënie me Mediat, Milivoje Mihajlovic, ka thënë se Merkel me siguri do ta mbështes dialogun si zgjidhje të vetme!
Merkel do të udhëtoj në Beograd më 22 gusht. Në delegacionin e saj do të jenë 63 zyrtarë të tjerë nga kancelaria e saj dhe Ministria e Punëve të Jashtme.