Zhbllokohet aksi Bulqizë-Tiranë, protesta vijon para bashkisë

Zhbllokohet rruga nacionale Bulqizë-Tiranë pas protestës të organizuar mëngjesin e sotëm nga familjarët e minatorëve të Bulqizës.
Protestuesit bllokuan për mëse dy orë rrugën nacionale Bulqizë-Tiranë në Qafën e Buallit ndërsa pak minuta më parë ata janë larguar për ta vijuar protestën para bashksisë së Bulqizës.
Protesta e familjarëve të minatorëve u shoqërua më herët me përplasje mes protestueve dhe forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhur nga Shkodra kur këta të fundit tentuan të largojnë minatorët nga rruga.
Bllokimi i rrugës shkaktoi një trafik të rënduar ku vargu i makinave që nuk lëviznin arriti deri në 500 metra.
Ndërkohë familjarët e minatorëve vendosën që të marrin këtë masë të re proteste pas dështimit të takimit mes minatorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë "ACR".
Ndërkohë 13 minatorë të Bulqizës ndodhen prej 17-të ditësh në grevë urie në nivelin e 14-të të minierës dhe gjëndja e tyre shëndetësore paraqitet e rëndë. Ata shprehen të vendosur se nuk do ta ndërpresin grevën e urisë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.