E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel:Germania do të "ngrijë" taksat deri në 2013-ën

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe aleati i saj Guido Westerwelle kane bërë të ditur se do të ngrijnë taksat deri në vitin 2013, për t'iu ardhur në ndihmë familjeve dhe sipërmarrjeve. "Synimi ynë është që të ecim përpara me kurajo, në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga kriza", ka deklaruar Merkel pas nënshkrimit të marrëveshjes së qeverisë. Kancelarja ka shtuar se qeveria e re do të përpiqet që këtë objektiv ta arrijë brenda viteve 2010 dhe 2011. Në fundjavë Kancelarja gjermane Angela Merkel nënshkroi një marrëveshje për një qeveri të re të koalicionit të qëndrës së djathtë pas disa javë negociatash. Konservatorët kristian-demokratë të kancelares Merkel dhe demokratët e lirë pro-biznesit ranë dakort për një program që do të përfshijë shkurtimin e taksave prej rreth 36 miliardë dollarësh. Programi është hartuar të nxisë rritjen ekonomike për ta nxjerrë vendin nga recesioni. Kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi qeverinë e re të koalicionit të qendrës së djathtë me demokratët e lire ku partneri i ri i koalicionit Guido Westerwelle do të jetë ministër i jashtëm. Westerwelle, udhëheqësi i demokratëve të lirë tha në konferencën e përbashkët për shtyp me Merkelin se marrëveshja për koalicionin e ri ishte një arritje për vendin. Ndërkaq Volfgang Shojble, i emëruar ministër i ri i Financave e përjashton mundësinë e një buxheti të ekuilibruar në katër vitet e ardhshme. Për gazetën "Welt am Sonntag" ai tha se ka ambicien e duhur për t'iu përmbajtur kufirit të borxheve që përcakton kushtetuta. Koalicionit i duhet të punojë me borxhet më të mëdha që ka njohur ndonjëherë historia e Republikës Federale të Gjermanisë. Kthimi i borxheve dhe kursimet mund të bëhen vetëm pas përfundimit të krizës ekonomike dhe financiare, por se kur do të ndodhë kjo, këtë s'mund ta thotë askush. Qeveria e ardhshme konservatore dhe liberale, dëshiron ta kapërcejë krizën ekonomike duke rritur zhvillimin dhe duke ulur taksat. Planet parashikojnë, ndër të tjera, që qytetarët dhe firmat të lehtësohen nga 24 miliardë euro taksa.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›