Merr dhe jep rrymë

Shqipëria është dorëzuar në përpjekjet për të qenë pjesë e rëndësishme investuese në termocentralin “Kosova C”, por është e bindur dhe e prirur për të ndërtuar një tjetër termocentral në shtetin e dytë shqiptar në botë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë të Shqipërisë, Genc Ruli, tha se TEC-i “Kosova” i tejkalon përmasat teknologjike dhe financiare të Shqipërisë. Sakaq, të dy shtetet shqiptarë nënshkruan një memorandum të gjerë bashkëpunimi dje në Prishtinë.
Memorandumi garanton energji
Ministria e Energjisë dhe e Minierave të Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe e Energjisë të Shqipërisë nënshkruan dje një memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim zgjerimin e infrastrukturave lidhëse energjetike, si dhe shkëmbimin e përvojave në mes të këtyre shteteve. Në memorandum, sipas agjencisë së lajmeve “KosovaLive”, me qendër në Prishtinë, linjat kryesore të bashkëpunimit janë konkretizimi i linjës të interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe bashkëpunimi i shkëmbimeve të energjisë elektrike gjatë vitit mes këtyre dy shteteve. Kjo marrëveshje mirëkuptimi gjithashtu ka të bëjë me planifikimin e përmbushjes së nevojave të energjisë, jo vetëm për bizneset, por edhe për amvisëri. Përmes memorandumit ndërshtetëror, sikurse raportoi Radiotelevizioni i Kosovës, parashihet shkëmbim i energjisë gjatë tërë vitit, si dhe ndërtimi i kapaciteteve të përbashkëta gjeneruese. Të dy mediat paraqitën pikëpamjet dhe shpjegimet e zyrtarëve Ruli dhe Shiroka-Pula mbi memorandumin, qëllimin dhe përftimet prej tij. Por nuk pati detaje të tjera mbi kapacitetet shkëmbyese apo çmimin në tregjet vendase dhe ndërkombëtare të energjisë. Ruli vlerësoi se partneriteti dhe bashkëpunimi mes këtyre dy shteteve duhet të shtrihet edhe në shkëmbimin e përvojave. “Ne kemi gjendje të vështirë në sektorin e energjisë edhe për shkak të moseksperiencës, por tani ky bashkëpunim duhet të konkretizohet në një marrëveshje, që tregjet tona nacionale të mund integrohen në tregun rajonal që sjell përfitime proporcionale”, tha ai. Ndërsa ministrja Justina Shiroka-Pula tha se bashkëpunimi në mes këtyre dy vendeve është mjaft i domosdoshëm. për shkak të karakterit të sistemeve energjetike që kanë. “Sistemet energjetike dhe integrimi i tyre rrjedh edhe nga traktati për komunitete të energjisë. që ka të bëjë me një qëllim integrimin në sektorin e energjisë, jo vetëm në rajon, por edhe në botë”, tha ajo. Sipas ministres Pula-Shiroka, bashkëpunimi në mes këtyre dy vendeve do të zgjerohet edhe në të ardhmen. “Jemi duke biseduar se në cilin sektor do të mund të bëhet një investim i përbashkët”, tha ajo. Ministrja e qeverisë së Kosovës theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është i natyrshëm, kurse synimi afatgjatë i të dy ministrive është ndërtimi i përbashkët i kapaciteteve të reja energjetike.
Larg termocentrali i ri “Kosova C”
Ministri Ruli saktësoi se qeveria shqiptare ka vlerësuar mundësinë e ndërtimit të një termocentrali me linjën jashtë “Kosovës C” si zgjidhje afatmesme. Ruli konfirmoi në Prishtinë, se Shqipëria që po shqyrton idenë për ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë, ka parasysh që ai të ketë një kapacitet prej 300-400 megavatësh. Këto komente Ruli i bëri pas takimit me ministrin e Ekonomisë dhe Financave të Kosovës (MEF), Ahmet Shala. Ai tha se ky termocentral nuk ka të bëjë me ndërtimin e termocentralit “Kosova C”, pasi ai i tejkalon përmasat teknologjike dhe financiare të Shqipërisë. Ministrat Ruli dhe Shala potencuan se as Shqipëria e as Kosova nuk janë të kënaqura me nivelin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, e as me nivelin e investimeve. “Shqipëria dhe Kosova janë dy ekonomi që kanë nevojë të kenë shkëmbime më të mëdha të mallrave, të thithin më shumë investime, prandaj nuk jemi të kënaqur me nivelin e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve”, tha Ruli. Ndër të tjera, ministrat Ruli dhe Shala diskutuan edhe për parqet industriale, pasi Shqipëria është në fazën fillestare të ndërtimit të këtyre parqeve. Ministri Ruli vlerësoi gjithashtu se nënshkrimi i memorandumit është produkt i një shkëmbimi diplomatik dhe afërsisë së punës së këtyre dy ministrive që një kohë të gjatë. “Kjo marrëveshje përveçse është një hap diplomatik dhe politik, është një domosdoshmëri e imponuar nga vetë rrethanat që ndodhin në tregun energjetik në rajon dhe në botë”, tha ai. Ruli theksoi se kjo marrëveshje është gjithashtu një mundësi e madhe që nëpërmjet një bashkëpunimi operativ në sektorin energjetik të mund të kapërcehen vështirësitë që paraqiten në një periudhë afatmesme, por njëkohësisht të ndërtohen edhe perspektivat e zhvillimit afatgjatë të sistemeve energjetike.