E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr flakë trageti i linjës Korfuz-Sarandë

Tiranë, 12 gusht - Panik në tragetin e linjës Korfuz-Sarandë rreth orës 18:00 të pasdites së të enjtes, pas zjarrit të rënë në një nga motorët e tragetit.

Lajmi u bë i ditur nga vetë pasagjerët, të cilët të tmerruar telefonuan në televizionin News24. Pasagjerët treguan se trageti Kaliopi Finikas ndodhej në ujërat greke në momentin kur në njërin nga motorët u vunë re shtëllunga tymi.

Mësohet se pjesëtarët e ekuipazhit arritën të shuajnë zjarrin, ndërsa mjeti mbërriti në Sarandë duke lundruar vetëm me një motor.

“Nuk kishte asnjë mjet sigurie, në traget u përhap alarmi. Gjithë rrugën e kemi i bërë me një motor, madje trageti anonte. Nga të gjitha anët dëgjoheshin fëmijë që qanin e gra që ulërinin”, rrëfen njëri nga pasagjerët gjatë një komunikimi telefonik në News24.

Fatmirësisht të gjithë pasagjerët zbritën në Sarandë dhe nuk pati asnjë të lënduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›