Merr fund ankthi i Asanzh, Ekuadori azil për themeluesin e Wikileaks
Qeveria e Ekuadorit ka vendosur që t`i ofrojë themeluesit të Wikileaks, Xhulian Asanzh azil, ka bërë me dije ministri i Jashtëm i këtij vendi, Rikardo Patino në një konferencë për gazetarë.
Ministri i Jashtëm i Ekuadorit Rikardo Patini e ka akuzuar Britaninë se “ka kërcënuar me bastisjen e ambasadës së Ekuadorit në Londër për ta arrestuar themeluesin e Wikileaks-it, Xhulian Asanzh.
Patino tha se Britania ka paralajmëruar se do “ta sulmojë ambasadën tonë nëse Ekuadori nuk e dorëzon Xhulian Asanzh”.
Asanzhi është ngujuar që nga qershori në ambasadën e Ekuadorit në Londër dhe ka kërkuar azil politik, për t`iu shmangur ekstradimit të tij në Suedi, ku do të përballej me akuzat për keqtrajtim seksual.
Asanzh dhe mbështetësit e tij druajnë se pas ekstradimit në shtetin suedez, ai do të dërgohej për në Shtetet e Bashkuara ku akuzohet për publikimin e mijëra informatave dhe dokumeneteve sekrete të Uashingtonit zyrtar, të cilat i kishte siguruar nga ushtari amerikan Bredli Maning.