E Diel, 1 Nëntor 2026

Asanzh shkakton incident diplomatik mes Anglisë dhe Ekuadorit

Asanzh u strehua në ambasadën ekuadoriane në qershor të këtij viti për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku ai akuzohet për përdhunim, të cilën ai e mohon.

Përfaqësuesit diplomatik të Ekuadorit kanë paralajmëruar se së shpejti do të merret një vendim për kërkesën e Asanzhit për azil politik në Ekuador.

Nga ana tjetër, Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka kërcënuar se do t’i heqin statusin “diplomatike” ambasdës së Ekuadorit me qëllim për të përmbushur detyrimin ligjor, për të ekstraduar 41-vjeçarin australian.

Në një raport të saj zyrtar, Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar deklaronte se ishte e befasuar nga Ekuadori për vendimin që mund t’i japë azil politik Asanzhit, vendim i cili po shkakton një incident diplomatik.

Në qershor, Gjykata e Lartë e MB-së hodhi poshtë kërkesën e Asanzhit për të rihapur ankesën e tij kundër ekstradimit dhe i dha ati dy javë kohë përpara fillimit të procedurave të ekstradimit. Gjatë këtyre dy javëve australiani gjeti strehimin në ambasadën e Ekuadorit.

Uebsajti i themeluar prej tij “Wikileaks”, botoi një masë të madhe të kabllove diplomatike në vitin 2010, duke shënuar një ndër rrjedhjet më të mëdha të informacionit vitet e fundit, veçanërisht për SHBA-në.

Asanzh ka thënë se ai ka frikë të ektradohet në Suedi sepse që andej mund ta kalojnë tek autoritetet amerikane.

Shumë oficerë të policisë angleze kanë rrethuar ambasadën ekuadoriane, ndërkohë që në ambjentet e saj të jashtme janë mbledhur me qindra mbështetës të Asanzhit, të cilët edhe janë përleshur me forcat policore.

Demostruesit protestuan edhe jashtë ambasadës britanike në kryeqytetin e Ekuadorit, duke mbajtur pankarta në duar ku shkruanin “Ne jemi sovranë, jo koloni”.

Ministria e Jashtëme e Ekuadorit i ka dërguar një letër qeverisë britanike, në të cilën i kërkon që të heqë dorë nga kërcënimet dhe forca, pasi diçka e tillë është e papranueshme.

Nëse Asanzhi do ta marrë azilin politik apo do të ekstradohet nga Suedia, kjo do të vendoset vetëm nëpërmjet një akti normativ që Ministria e Jashtme e Ekuadorit mund të lëshojë për australianin, akt që do ta shpallte atë “azilant”.

/Start/Elio Gorica/

                                                                                             2012-08-16 13:22
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›