Merr fund odiseja, votohen 3 ligjet e integrimit
Janë miratuar në seancën e jashtëzakonshme parlamentare tre ligjet e integrimit ku përfshihen projektligji për Nënpunësin Civil, projektligji për Gjykatën e Lartë dhe Reforma Parlamentare. Këto tri ligje morën edhe votën e opozitës, pasi u kushti i tyre për futjen në fuqi në legjislaturën e ardhshme.
Votimi
Kuvendi miratoi sot tre draftet e integrimit, pr/ligjin “Për gjykatën e lartë”; “Për nëpunësin civil” dhe rregulloren parlamentare. ’3 ligjet’ që i hapin dritën jeshile integrimit të Shqipërisë u miratuan me shumicë votash, ndërkohë që pritet të hynë në fuqi më 1 tetor. Pr/ligji “Për nëpunësin civil”, një nga 12 rekomandimet e Bashkimit Europian, në kuadër të strategjisë për reformën në administratën publike, u miratua me 107 vota pro dhe 2 abstenime. Kuvendi miratoi gjithashtu me 108 vota pro rregulloren parlamentare , si dhe me 108 vota pro dhe 1 votë kundër pr/ligjin “Për gjykatën e Lartë”. Kryetarja e Parlamentit në përfundim të seancës, tha: “Kanë qenë çdo ditë në rendin e ditës. Nuk e kuptoj pse e bllokuat 3 vjet dhe 300 ditë mos me marr statusin”