Guvernatori kritikon qeverinë: Kontrolloni borxhin, shumë shpenzime, pak të ardhura
Qeveria ka marr sërish kritika për mënyrën se si po e menaxhon borxhin publik. Këtë herë apeli vjen nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani i cili kërkon nga qeveria që të bëjë kujdes me borxhin, aq më tepër në një kohë kur shpenzimet janë rritur dhe të ardhurat në buxhet janë më të ulëta se sa planifikimi. E gjitha kjo situatë ka çuar në thellim të deficitit buxhetor.
Fullani
Shpenzimet fiskale shënuan një rritje vjetore prej 9.8 %, kryesisht si pasojë e rritjes së shpejtë të shpenzimeve kapitale. Të ardhurat fiskale kanë shënuar një rritje minimale, prej 0.3 % në reflektim të ecurisë së ngadaltë të aktiviteti ekonomik. Kjo ecuri e shpenzimeve dhe të ardhurave, buxhetore është materializuar në një deficit buxhetor 2 herë më të lartë se 4 muajt e parë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë vëren se politika afatmesme dhe afatgjatë fiskale duhet të orientohet më shumë drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së borxhit publik, përmbushja e këtij objektivi, ndihmon në uljen e pasigurisë dhe të veprimeve të rrezikut. Borxhi i ulët dhe i kontrolluar publik krijon një ambient me të mirë për iniciativën private dhe për nxitjen e ekonomisë, u shpreh Fullani.
Tavan i borxhit
I pyetur nga gazetarët mbi masat që duhen marrë në kët drejtim, guvernatori u shpreh i mendimit se Shqipëria duhet të përcaktojë një tavan të ri të borxhit publik, në përputhje me kushtet e reja në të cilët ndodhet ekonomia dhe buxheti. Më tej Fullani tha se Banka e Shqipërisë nuk sugjeron një shifër konkrete, por kërkon një objektiv të ri, që të garantojë qëndrueshmëri afatgjatë, por pa masa shtrënguese ekstreme që do ti merrnin frymën ekonomisë.
Rritja ekonomike
Gjatë prezantimit të raportit mujor të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, kreu Fullani vlerësoi se aktiviteti ekonomik në vend është ngadalësuar, si pasojë edhe e rënies së konsumit familjar dhe investimeve private. Banka qendrore vlerëson se rritja ekonomike pritet të luhatet këtë vit në nivelin e rreth 1.7 %, po aq sa edhe vitin e kaluar. Aktiviteti ekonomik në vit pritet të rritet në norma të ulëta pozitive, pranë niveleve të vitit të kaluar. Kërkesa e huave dhe politika fiskale pritet të japin stimul pozitiv, në rritjen ekonomike, nga ana tjetër konsumi dhe investimet private do të kenë një ecuri të dobët dhe gjatë këtij viti, theksoi Fullani.
Kreditë
Guvernatori ka theksuar se normat e rritjes së kredisë mbetet të ulëta, me vetëm 1.2 për qind në muajin mars. Sipas Fullanit, bankat po tregohen të kujdesshme në dhënien e kredive, si pasojë edhe e situatës në Eurozonë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.75 %.