E Diel, 1 Nëntor 2026

PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD-së, Bardhi: Përpjekje për të mbytur zërin e opozitës

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Deputetët e Partisë Socialiste kërkuan përjashtimin nga punimet e Kuvendit për 60 ditë të gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike dhe për 10 ditë të 14 deputetëve të tjerë, pas përplasjeve gjatë seancës së sotme parlamentare.

Kërkesa për përjashtim me 60 ditë është bërë për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Luçiano Boçin, Edi Palokën dhe Besart Xhaferrin.

Ndërsa 10 ditë përjashtim është kërkuar për Gjin Gjonin, Bardh Spahian, Albana Vokshin, Elda Hotin, Xhelal Mziun, Gent Strazimirin, Enno Bozdon, Kastriot Pirolin, Kliti Hotin, Flamur Hoxhën, Arjan Ndojën, Ivi Kason, Zija Ismailin dhe Blendi Himçin.

Sipas kërkesës së socialistëve, masat disiplinore lidhen me incidentet e regjistruara gjatë seancës plenare, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe pati përplasje me deputetët e mazhorancës.

Gjatë seancës, Flamur Noka akuzohet se ka shkëputur mikrofonin, ka fyer Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe është përplasur me kreun e grupit të PS, Taulant Ballën. Ndërsa Fidel Kreka akuzohet se ka goditur me bllokun e votimit deputetin Ervin Hoxha dhe ka tentuar të godasë Bledi Çuçin.

Sekretariati i Etikës pritet të shqyrtojë kërkesat dhe të marrë vendimin nesër, në orën 10:00.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi kërkesën për përjashtimin e 20 deputetëve demokratë si një “akt të rëndë agresioni politik” dhe një përpjekje për të mbytur zërin e opozitës.

Në një reagim publik, Bardhi akuzoi mazhorancën se ka humbur qetësinë dhe arsyen, duke pretenduar se po tregon frikë nga qytetarët dhe opozita.

“Përjashtimi i 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi është një akt i rëndë agresioni politik dhe një përpjekje e hapur për të goditur opozitën dhe për të mbytur zërin e qytetarëve që ajo përfaqëson”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se Kuvendi nuk është pronë e pushtetit dhe se deputetët e opozitës janë në parlament në bazë të mandatit të marrë nga qytetarët, jo me lejen e qeverisë.

“Përjashtimi i deputetëve nuk e mbyll gojën e opozitës, nuk e fshin të vërtetën dhe nuk e ndal betejën për demokracinë. Përkundrazi, çdo përpjekje për të përjashtuar opozitën vetëm sa dëshmon frikën e pushtetit nga fjala e lirë dhe llogaridhënia”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se opozita nuk do të intimidohet dhe nuk do të tërhiqet përballë presionit politik.

“Demokracia nuk mbrohet duke përjashtuar kundërshtarët, por duke respektuar pluralizmin dhe vullnetin e qytetarëve”, përfundoi Bardhi.

Ndërkohë, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu janë përjashtuar më herët për 60 ditë nga punimet e Kuvendit, me vendim të marrë më 12 tetor

/gj.m/r.e/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›