E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mes “Shillës” dhe “Karibdës”/ A do shkarkohet Veliaj? Dy skenarët, asnjë i lehtë për Ramën

Erion Veliaj u vu nën pranga të  hënën me urdhër të SPAK,  por  çfarë do të ndodhë  me bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës, pas arrestimit të kryetarit.

Një kryebashkiaku sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore të ndryshuar në vitin 2019 i përfundon mandati  para kohe nëse  ai jep nuk pranon të bëjë betimin, jep  dorëheqjen,  nuk është banor i bashkisë ku është zgjedhur, kandidon për deputet  apo humbet zotësinë juridike për të vepruar me  vendim gjykate të formës së prerë.

Por asnjë prej këtyre rasteve nuk ka të bëjë me  Erion Veliajn. Ajo që mund të  prekë kryetarin e bashkisë së Tiranës është pika c e nenit  61  të  këtij ligji, shkarkimi i tij.

Kryetari i Bashkisë sipas po këtij ligji shkarkohet nga Këshilli i Ministrave në rastet kur  kryen shkelje të rënda të  Kushtetutës ose ligjeve, dënohet për kryerjen e një vepre penale  me vendim të formës së prerë nga gjykata  ose propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak për mos paraqitje në detyrë  për një periudhë tremuaj pa ndërprerje. Në rast se Veliaj qëndron në të njëjtën masë sigurie, atëherë në maj, ai duhet të shkarkohet nga këshilli i ministrave.

Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit  para afatit këshilli bashkiak përmes Prefektit  njofton  Këshillin e Ministrave.

Ndërkohë nisin përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Deri në  zgjedhjen e kryetarit të ri  detyrat e kryetarit i kryen një prej  zëvëndëskryetarëve te bashkise.

Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar si në Bashkinë e Tiranës   se cili prej tyre do ti kryej funksionet e kryetarit percaktohet nga   këshilli bashkiak me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij.

Rast i ngjashëm është ai i bashkisë së Kukësit  ku kryebashkiaku Safet Gjici  u arrestua me urdhër të Spak për shpërdorim detyre dhe korrupsion.  Ndërkohë që Gjici  ishte në qeli kryeministri Edi Rama vendosi për shkarkimin e tij.

Dhe këtu është edhe pikëpyetja e madhe: çfarë do bëj Edi Rama, jo thjesht si kryeministëmr, por si kryetar i partisë Socialiste? Në rast se do të mbajë Veliajn si kryetar në detyrë, derisa të flasë drejtësia, risku që të ndajë një kosto politike sidomos para zgjedhjeve politike të 11 majit, është jo i vogël. E ka bërë Sali Berisha gjatë qeverisjeve të tij, por Rama ka treguar se në këtë pikë është shumë ndryshe nga kundërshtari i tij i vjetër.

Por në rast se do të shpejtojë në shkarkimin e Veliajt, edhe këtu, nuk do të mund t’i shpëtonte  kritikave për braktisje ndaj personit, që thuhet se kishte zgjedhur si pasuesin e tij.

Edi Rama prej shumë kohësh thotë se drejtësia e re është investimi më i madh i mazhorancës për Shqipërinë europiane. Erion Veliaj tashmë po kthehet në testin më të fortë të këtij basti të madh të kryetarit socialist, për të ardhmen e partisë së tij dhe të vendit.

/ abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›