Mes akteve të Meredith-Vulës

Të enjten, më 2 gusht, në orën 19:00, në Parkun Arkeologjik Kombëtar në Prishtinë (përballë Muzeut të Kosovës), do të hapet ekspozita më fotografi ‘Mes akteve’ e fotografes Lala Meredith-Vula. Ekspozita, e cila do të jetë e hapur deri më 14 gusht, hapet në kuadër të manifestimit ‘Ditët e mërgatës 2012’.
‘Mes akteve’ është një seri fotografish të bëra gjatë tre dekadave. Tematika e tyre shkon nga takimet publike për pajtimin e gjaqeve dhe periudha pas luftës e jeta pastorale në Kosovë tek imazhet e diasporës, përfaqësuar nga gruaja me veshje tradicionale shqiptare në sfonde e vende të ndryshme të botës.
Ndonëse fotografitë janë bërë në një vend e kohë të caktuar, jehona e domethënia e tyre nuk është e lidhur me një moment konkret. Ato nuk kanë për qëllim të japin portretin e një ngjarjeje, por duan më shumë të shprehin ndjenjat që burojnë nga ngjarja, të mbushin hendekun mes ngjarjes e portretit të saj. Ato janë ‘foto çasti’ të aksionit e ngjarjes kryesore që portretizojnë.