Mes pasionit dhe punës, dilema e futbollistëve
Futbolli nuk është vetëm një lojë dhe një punë. Është ëndërr dhe pasion, shprehet Mario Xhafa. Një nga talentet Made in Albania, i cili sot luan për Partizanin, por që pak vite më parë luajti edhe në Itali. Ky pasion sot ndiqet nga shumë fëmijë, të cilët me shpresën dhe ëndrrën për ti ngjarë idhullit të tyre të futbollit, hedhin hapat e para për të bërë një karrierë në futboll. Një karrierë e cila sa e bukur, aq është e vështirë për tu ndërtuar, veçanërisht në Shqipëri.
E ardhmja
Të duhet shumë aftësi dhe një fat i madh që të mund të bësh karrierë në futbollin vendas. Nga mosha 10 – 17 vjeç çdo futbollist është njësoj. Si të tillë, trajtimi është i ngjashëm. Por kur fillon të luash me ekipet zinxhir U-17 dhe U-19, aty vështirësohet puna. Për faktin se këtu fillojnë bërrylat. Kur je rreth moshës 17 vjeç, luajnë ata që kanë një prind të njohur apo që kanë dikë që i mbështet. Më pas, kur shkon në moshën 19 vjeç, aty duhet të paguash që të luash. Megjithatë, gjendja në Shqipëri ka filluar duke u përmirësuar. Për faktin se ekipet kanë filluar të privatizohen të gjitha. Kjo sjell një të mirë, pasi krijohen ekipet zinxhir. Ekipe të cilat mungojnë disi. Sot në Tiranë ke vetëm 3 ekipe zinxhir (Tirana, Partizani dhe Dinamo), ndërkohë ka edhe shumë ekipe të tjera për mosha, por që nuk janë zinxhir të një ekipi profesionist. Ato mund të shërbejnë sa për stërvitje. Unë kam filluar të luaj futboll me Partizanin qysh në moshë të vogël. Më pas tentova të luaj jashtë vendit në Itali, pas kërkesës që bëri një nga ekipet e futbollit italian. Por familja dhe dëshira për të vazhduar në Shqipëri më shtynë të kthehesha dhe të vazhdoja karrierën në vendin tim. Sot luaj në një nga ekipet më me emër dhe në atë ekip që më formoj dhe ku hodha hapat e parë, tregon Mario. Ka një ndryshim shumë të madh midis së ardhmes që mund të kesh në Shqipëri me atë jashtë vendit. Kjo për faktin se jashtë vendit i ke dyert e hapura gjithkund. Shumë ekipe të japin mundësinë të testohesh dhe të bëhesh pjesë e ekipit. Ndërkohë këtu është e vështirë. Gjithashtu testi që bëhet është i ndryshëm. Në Itali, testimi apo prova për të parë nëse meriton të bëhesh pjesë e ekipit, bëhet nëpërmjet stërvitjes. Ata të shohin se si stërvitesh dhe se si luan në ndeshjet midis grupit. Ndërkohë, në Shqipëri testi bëhet direkt me një lojë. Nuk ke një mbështetje këtu në vend ndaj dhe shpesh futbollistët mendojnë të luajnë jasht vendit, rrëfen Mario.
Kontratat dhe transferimet
Kontratat që lidhin futbollistët me ekipet e futbollit janë nga më të ndryshmet. Por kanë një ndryshim në ato që lidhin të rinjtë me këto ekipe. Në Shqipëri prej shumë vitesh aplikohen kontrata afatgjatë, zakonisht 4-vjeçare. Unë kam firmosur një kontratë 8-vjeçare me Partizanin kur isha 11 vjeç. Një kontratë që unë me marrëveshje e prisha në vitin 2009, kur u transferova në Itali, shprehet Mario. Por këto kontrata shpeshherë bëhen pengesë për lojtarët. Pasi nëse ata duan që të lëvizin jashtë vendit apo në një ekip më të mirë, duhet të marrin lejen e presidentit të ekipit. Një leje e vështirë për tu arritur. Megjithatë në Shqipëri nuk aplikohen shitjet dhe blerjet e lojtarëve në moshë të re. Deri në moshën 17-vjeçare lojtarët nuk blihen. Ndërkohë, në botë ato shiten dhe blihen qysh në moshë të vogël. Jashtë, përgjithësisht aplikohen kontrata afatshkurtër, që i mundësojnë lojtarit që edhe të transferohet në një ekip më të mirë. Por transferimi është kundrejt një pagese, të cilën e cakton presidenti apo drejtuesi i klubit. Në Shqipëri moshat U-17 dhe U-19 mund të shiten. Nëpër grumbullimet e kombëtareve U-17 dhe U-19 janë të pranishëm menaxherë të ekipeve të ndryshme të huaja, të cilët shohin lojtarët tek luajnë. Nëse ata binden për ndonjërin prej tyre, atëherë bëjnë një ofertë për të.
Ndryshimet
Ndryshimet janë të shumta midis vendit tona dhe vendeve të huaja, kryesisht Italisë, një nga vendeve më futbolldashëse në botë. Ajo çka Mario na tregon është pikërisht ndryshimi midis kushteve. Me atë çka kam arritur të shoh në Itali, është shumë e thjesht të tregosh ndryshimet. Skuadrat të cilat janë amatore arrijnë të të japin kushte njësoj me skuadrat e nivelit të superligës sonë. Ambiente të shumta stërvitore. Ndërkohë që në Shqipëri ambientet e stërvitjes janë të kufizuara. Atje përgatitja stërvitore mundësohet nga disa persona të ndryshëm. Më vete është përgatitësi i portierëve, përgatitësi atletik, etj dhe trajneri nuk ka shumë punë për stërvitjen. Ndërkohë, këtu trajneri dëshiron ti bëjë të gjitha. Jashtë vendit ka një infrastrukturë, e cila është shumë më e zhvilluar se ajo që gjen në vendin tonë.
Përvoja jashtë vendit
Në vitin 2009 u transferova në Itali. Atje luajta deri në verën e kaluar ku vendosa të rikthehesha në Shqipëri dhe për të luajtur me ekipin e parë të Partizanit. Është tepër i vështirë kalimi i provës. Kjo për disa arsye. Veç faktit se duhet të meritosh hyrjen në ekip, duhet edhe të ambientohesh. Një ambientim i cili kushtëzohet shumë nga gjuha. Gjithashtu, duhet të mposhtësh edhe ndonjë racizëm të mundshëm nga lojtarët e tjerë, për faktin se ata mund të shprehen: Çna duhet ky shqiptari kur kemi italianë?. Është e vështirë për faktin se deri në momentin që bëhesh pjesë e plotë e ekipit, askush nuk të përfill. Por një gjë e bukur dhe e veçantë ishte fakti që bëheshe publik. Për shembull, kur kam filluar të luaj me Rovigon, atje u shkruan disa artikuj për mua, si dhe u bëra i njohur mes tifozëve të ekipit. Në rrugë të përshendesnin të gjithë dhe ishe gjithnjë në vëmendjen e tyre. Për shembull, nëse dilje natën vonë për të festuar duhet të kishe kujdes për faktin se tifozët mund të tregonin tek drejtuesit e skuadrës dhe ishte problem më pas. Gjithashtu, stërvitja ishte më ndryshe. Ajo bazohej në një program të përjavshëm. Program jo vetëm në stërvitje, por edhe në ushqim.
Megjithatë vendosa të kthehesha në Shqipëri. Vendosa të kthehesha këtu për faktin se isha vetëm pa familjen dhe për faktin se dëshiroj shumë të luaj në Shqipëri. Në mundësinë e parë për të luajtur me Partizanin, pranova. Pasi ishte ekipi i parë për mua. Sot luaj me këtë ekip dhe jam shumë i kënaqur.
Vlerësimi italian
Një tjetër risi, tepër e veçantë për të ardhmen e afërt të Rovigos është prezenca e Mario Xhafës, i shumëtalentuari, fantazisti shqiptar (grupmosha 1991) është në provë dhe nëse Parlato dhe Pakuali mendojnë se është e nevojshme ta marrin, do të jetë një tjetër goditje për sulmin bardheblu, ku janë gjithashtu edhe ekspertët Furlaneto, Zanardo dhe Sabatini, dhe i riu Doukara.
(Marrë nga faqja: rovigooggi.it)
