Mes valëve të detit dhe fushës së blertë, Rama sjell tri histori suksesi të të rinjve nga Fieri, Shkodra dhe Saranda

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Në episodin e radhës të podkastit “FLASIM – Mes valëve të detit dhe fushës së blertë”, Kryeministri Edi Rama ka vënë në fokus historitë e suksesit të tre të rinjve nga Shkodra, Fieri dhe Saranda, të cilët kanë ndërtuar sipërmarrje dhe nisma inovative në fushën e sportit, turizmit dhe edukimit detar.
Gjatë podkastit, u prezantua historia e Dinjon Përmetit, i lindur dhe rritur në Fier, i cili ka ndjekur studimet në Universitetin e Sportit në Bukuresht në vitin 2010, duke u formuar paralelisht edhe si gjyqtar futbolli deri në kategorinë e katërt. Pas përfundimit të studimeve master në vitin 2016, ai u kthye në Fier ku nisi punën si mësues i edukimit fizik dhe më pas si trajner në akademi futbolli.
Aktualisht, ai drejton një akademi me rreth 80 fëmijë dhe ka hapur edhe një dyqan sportiv me fokus futbollin. Paralelisht, ai ka nisur edhe nisma bamirësie dhe aktivitete sportive për fëmijët, me qëllim edukimin e tyre me vlera dhe largimin nga ndikimi negativ i rrjeteve sociale, duke synuar edhe organizimin e një kampionati bamirësie në Fier.
Në podkast u prezantua edhe historia e Blerti Bejukës nga Shkodra, i cili ka krijuar një sipërmarrje të quajtur “biçikleta në ujë”, një projekt që synon promovimin e turizmit të qëndrueshëm në liqenin e Shkodrës.
Ai u shpreh se ideja lindi si një kombinim i simbolikës së qytetit me potencialin natyror të liqenit, duke e kthyer në një atraksion ekologjik turistik.
Projekti, i mbështetur përmes skemave të granteve për të rinjtë, është vlerësuar si risi në vitin 2025 dhe ka tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Sipas tij, nisma synon të zhvillojë më tej turizmin dhe të krijojë një model të qëndrueshëm sipërmarrjeje në Shkodër.
Një tjetër histori ishte ajo e Sorald Nebos nga Saranda, turoperator detar dhe nismëtar i “Turit të midhjes”. Ai rrëfeu se përballja me mungesën e kapitenëve e shtyu të mendojë krijimin e një shkolle lundrimi për fëmijët, me qëllim përgatitjen e brezave të rinj për profesionet detare.
Sipas tij, Saranda, si qytet bregdetar, duhet të shfrytëzojë më shumë potencialin e detit jo vetëm për turizëm, por edhe për edukim dhe zhvillim ekonomik. Ai theksoi se projekti synon të edukojë fëmijët që në moshë të vogël me kulturën e detit dhe lundrimit, përmes varkave “optimist”, me vela që u mëson atyre teknikat bazë të lundrimit.
Kryeministri Rama vlerësoi këto histori si shembuj të rinisë shqiptare që ndërton të ardhmen përmes ideve, punës dhe pasionit, duke theksuar se qëllimi i podkastit është të promovojë të rinjtë që krijojnë vlera pa zhurmë mediatike, por me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetet e tyre.
Një prej të rinjve i dhuroi Kryeministrit një bluzë të personalizuar të Juventusit, me nënshkrimin “Rama” dhe numrin 16, simbolikisht të lidhur me fillimin e një cikli të ri për projektet e tij dhe me 4 mandatet e qeverisjes e Ramës.
Rama informoi se shumë shpejt pritet të miratohet edhe ligji i ri për sponsorizimin e sporteve, i cili do të përbëjë një hap të rëndësishëm përpara për rritjen e financimit dhe mbështetjes së sportit në vend.
/r.e/