“Ekspedita etnografike”, ekspozitë fotografike që dokumenton kulturën tradicionale shqiptare

TIRANË, 12 prill /ATSH/ “Ekspedita etnografike” titullohet ekspozita fotografike e etnografit të mirënjohur Rrok Zojzi, e cila qëndron e hapur nga data 10 prill në mjediset e muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Shkodër.
Kjo ekspozitë prezanton për herë të parë një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit (1910–1995), themelues i etnografisë institucionale shqiptare dhe pionier në përdorimin e fotografisë si instrument kërkimor.
Të realizuara në një periudhë transformimesh të thella historike, këto imazhe dokumentojnë kulturën tradicionale shqiptare përmes veshjeve, banesave, mjeteve të punës, ritualeve dhe simbolikave kulturore, duke ndërtuar një gjeografi vizuale të kujtesës dhe identitetit.
Fotografia e Zojzit shfaqet si një praktikë ndërmjet dokumentit shkencor dhe artefaktit arkivor, duke ofruar një terren të hapur për interpretim mbi përfaqësimin kulturor dhe kohësinë historike.
Për të gjithë ata që pyesin: Kush i ka bërë këto foto kaq interesante të ekspozitës “Ekspedita Etnografike”?
Ju prezantojmë me njeriun pas aparatit, i cili rendi pas pasionit të tij për të dokumentuar vlerat e antropologjisë shqiptare: Rrok Zojzi (1910–1995).
I lindur në Shkodër, Zojzi nuk ishte thjesht arsimtar, ai ishte edhe eksplorues, studiues, alpinist dhe mbi të gjitha një “detektiv” i kulturës shqiptare. Nga malet te fshatrat më të largëta, ai kërkonte, studionte dhe dokumentonte gjithçka që tregonte historinë dhe traditat tona.
Në vitet ’30–’40, ai nisi të bëhej i njohur për shkrimet e tij, ndërsa më vonë ndau njohuritë edhe përmes ligjëratave në radio (po, versioni i asaj kohe i “podcast-eve”).
Nga viti 1947 e deri në pension, ai drejtoi sektorin e etnografisë, duke lënë pas një pasuri të madhe studimesh dhe materialesh që sot na ndihmojnë të kuptojmë më mirë kush jemi.
Pra, herën tjetër që ndaleni para një fotografie në ekspozitë, kujtoni: nuk është thjesht një foto… është një copë historie e kapur nga një njeri që nuk rrinte dot pa eksploruar.
Ekspozita është kuruar nga studiuesi Nebi Bardhoshi dhe mbyllet në datën 13 prill.