Mesazh i Berishës për Metën, në lidhje me Spartak Brahon
Në një intervistë në gazetën Mapo, deputetit të PD-së Dashnor Sula i bëhet kjo pyetje e drejtpërdrejtë rreth kandidatit për postin e kryeprokurorit: Cili mendoni se duhet të jetë profili i kreut të ri të akuzës dhe, a duhet të vijë ai nga aleati më i madh qeverisës, nga LSI-ja?
Me një përgjigje të gjatë e të spërdredhur, ku citon kushtetutën, ligjin për prokurorinë, dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, Sula lë të kuptojë tërthorazi se Presidenti Nishani do të dekretojë për këtë post një kandidat të propozuar nga grupi parlamentar i PD-së (nënkupto nga Berisha, d.v.). Dhe kur ngacmohet edhe një herë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga intervistuesi në lidhje me pretendimin e LSI-së për të propozuar kryeprokurorin e ri, Sula jep më së fundi këtë përgjigje të drejtëpërdrejtë:
Unë nuk do të isha kurrësesi dakord që Prokurori i Përgjithshëm të ishte një zgjedhje personale e një force politike qoftë në opozitë, qoftë në mazhorancë. Do të dëshiroja të ishte një produkt i të gjitha forcave politike, sepse do të ishte në radhë të parë në të mirë të institucionit që drejton, [por] më pas, do të jetë e drejtë kushtetuese e Presidentit që, nga të gjitha propozimet që do të vijnë, ai të zgjedhë edhe kandidatin më të mirë.
Ky është mesazhi i parë publik që një nga rreshterët e Berishës i dërgon Metës në lidhje me ambicien e tij për të kandiduar Spartak Brahon në postin e kryeprokurorit (Pasi Braho udhëhoqi me sukses ekipin mbrojtës të Metës në gjyqin famëkeq mbi video-përgjimin, ky i fundit përdori për të epitetet prokurori i përhershëm dhe kryeprokurori në pritje).
