Mesazhe mashtruese në celularë, Policia apel qytetarëve: Mos i klikoni

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Policia e Shtetit u bëri apel qytetarëve të mos i klikojnë dhe plotësojnë, mesazhet që përcjellin kërkesën për të votuar apo për t’u regjistruar në evenimente të ndryshme fiktive, që mund të vijnë në platformën e komunikimit Whatsapp.
Përmes një njoftimi për shtyp, Policia bëri të ditur se, nisur nga disa raste të adresuara në strukturat e Hetimit të Krimeve Kibernetike dhe nga monitorimi i vazhdueshëm i burimeve të hapura të informacionit, si dhe platformave virtuale, me qëllim evidentimin e veprimtarive të kundraligjshme, kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë konstatuar mesazhe të maskuara në platformën e komunikimit Whatsapp.
Sipas Policisë, këto mesazhe përcjellin kërkesën për të votuar apo për t’u regjistruar në evenimente të ndryshme fiktive, ku pretendohet se pas këtyre regjistrimeve, votuesi apo personi që klikon, do të përfitojë benefite të ndryshme.
Mesazhet, kanë si qëllim orientimin e poseduesve të llogarive, drejt linqeve mashtruese, qëllimi final i së cilave është marrja në posedim, në mënyrë të padrejtë, të profileve në platformën e komunikimit Whatsapp të personave të mashtruar.
Policia e Shtetit informon qytetarët se në rast se iu vijnë të tilla SMS duhet t’i fshijnë dhe mos të kryejnë asnjë veprim kundrejt tyre (klikim, plotësim të dhënash etj), të cilat mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj, por edhe të personave që mund të jenë kontakt në aparatin telefonik, dhe që mund t’ju jetë hakëruar Whatsapp-i duke rënë pre e këtyre SMS-ve.
Policia e Shtetit apelon për ata qytetarë që kanë rënë pre e këtyre SMS-ve, të paraqiten në zyrat e Policisë së Shtetit tek strukturat e Krimit Kibernetik, pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë për të denoncuar rastet, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie të kundraligjshme. /j.p/
