E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhi në Whatsapp për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Hoxha takon Mexhitin: Askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan

Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha u pyet sot nga gazetarët për mesazhin në grupin e WhatsAppi-t, ku pretendohet se ai u është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke u shprehur: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”.

Pas takimit me kryetarin e komunës së Çairit Izet Mexhiti, Hoxha shkruan ndër të tjera në “X” se, “bëhet fjalë për një tymnajë të tejkaluar”.

Ferit Hoxha: Askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan, sepse ajo që kemi të përbashkët vetëm na bashkon.

Një takim i mirë, i parë por përmbajtësor sot me Izet Mexhitin, Kryetarin e komunës se Çairit, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe bashkë lider i VLEN, për të diskutuar mbi një mori çështjesh me interes të ndërsjelltë.

Pozita dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Këto të drejta duhet të mbrohen dhe të ushtrohen plotësisht në këtë frymë, në të mirë të të gjithë qytetarëve të cilëve u përkasin, por edhe si një investim i sinqertë për forcimin e demokracisë, institucioneve demokratike, karakterit multietnik të vendit dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane.

E kam thënë dhe dua ta përsëris: nëse nuk do të jemi në gjendje të ruajmë të arriturat e fituara me aq mund sic janë përdorimi, zhvillimi dhe trashëgimi i gjuhës shqipe si dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, nëse kujdesemi për të mirën e përbashkët, nëse nuk bashkohemi për gjithçka që shkon përtej dhe qëndron më lart se çdo individ, çdo grupim politik apo dallim ideologjik, atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e jona.

Mora sigurinë nga z. Mexhiti se ai, partia e tij dhe koalicioni i VLEN janë dhe mbeten të angazhuar për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar barazi, përfaqësim të drejtë dhe avancim të vazhdueshëm në të gjitha sferat e jetës publike.

Prandaj duhet të jemi në gjendje dhe të aftë të dialogojmë, së pari me njëri-tjetrin, të bashkohemi rreth asaj që kemi të përbashkët, sepse ajo na mban dhe na forcon më shumë se çdo gjë tjetër.

Na duhen më pak fjalë e më shumë punë.

Sepse në këtë mënyrë zhvillohemi e përparojmë, dhe njëkohësisht ndërtojmë edhe një marrëdhënie më të fortë, më bashkëpunuese dhe më miqësore me Maqedoninë e Veriut, vend fqinj, vend aleat, partner i ngushtë dhe bashkëudhëtar në rrugëtimin tonë evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›