Meshari i Gjon Buzukut vjen në Shqipëri

Vjen për herë të parë nga Vatikani në Shqipëri kopja origjinale e Veprës letrare më të lashtë shqipe e botuar që është ruajtur deri sot "Meshari" i Gjon Buzukut. Sipas kryetarit të grupit të punës Arben Skënderaj "Meshari" do të mbërrijë në datën 10 nëntor dhe do të qëndrojë e ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë.
Ardhja e kopjes origjinale të kësaj vepre është bërë e mundur pas kërkesës së qeverisë shqiptare drejtuar përgjegjësve të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Meshari përbëhej nga 110 fletë (220 faqe).
Kopja e librit që ka mbijetuar është e cunguar, përbëhet nga 94 fletë (188 faqe). Kësaj kopjeje i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.
Të 188 faqet e tekstit përmbajnë 154 000 fjalë me një tërësi fjalori prej rreth 1500 leksemash, dhe janë një minierë ari e vërtetë për leksikografët dhe gjuhëtarët historikë. Përmban lëndë të ndryshme kishtare dhe pjesët kryesore të liturgjisë katolike.