E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi, 21 ndeshje rresht që shënon me Barcelonën në La Liga

BARCELONE - Nëse dikush ka dyshuar se Lionel Mesi është drejt rënies, ka gabuar. Ylli i futbollit botëror është rikthyer me dy gola në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Betisit, duke i dhënë jo vetëm tri pikë Barcelonës, por duke gëzuar gjithë mbështetësit e tij.

Takimi i fundit ku Lionel Mesi nuk arriti të shënonte në një ndeshje të kampionatit spanjoll daton më 3 nëntor të vitit të kaluar ndaj Selta Vigos në “Kamp Nou”. Në të gjitha ndeshjet pasardhëse të kampionatit spanjoll, emri i Lionel Mesit do të shfaqej gjithmonë në tabelën ekektronike si autor i të paktën një goli për Barcelonën. Janë gjithsej 21 takime radhazi ku Mesi takohet me golin, madje shpesh edhe më shumë se një herë brenda 90 minutave. Me dygolëshin e realizuar ndaj Real Betisit, Lionel Messi kapi shifrën e 45 finailizimeve në La Liga, 59 në të gjitha kompeticionet. Publiku i “Kamp Nout” e festoi hyrjen në fushë të 25-vjeçarit në pjesën e dytë sikur të ishte shënuar një gol për katalanasit. Ovacionet ishin të forta dhe unanime. Atij i mjaftuan vetëm 4 minuta në fushë, për të realizuar një gol spektakolar nga një goditje dënimi nga distanca, ndërsa 11 minuta më pas shtyu për në rrjetë një top të pasuar saktë nga Aleksis Sanchez.

Shifrat janë sërish të frikshme, sërish për rekorde, prandaj kurrsesi nuk mund ta ulin reputacionin e 4 herë fituesit të “Topit të Artë” duke e lidhur me ndeshjen e fundit të Barcelonës në Ligën e Kampioneve, ku Mesi qëndroi në stol.

(er.nu/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›