Mesiç: Vuçiç s’ka pse shqetësohet, marrëveshja Kosovë-Shqipëri-Kroaci për mbrojtje

ZAGREB, 22 mars /ATSH/ – Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç tha se marrëveshja mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes është një marrëveshje e mirë, ndërsa shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, s’ka pse shqetësohet pasi marrëveshja mes këtyre tri shteteve është për mbrojtje.
Marrëveshja e arritur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes ka marrë shumë vëmendje dhe ka nxitur reagime të shumta, sidomos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Duke folur në Bruksel pas takimit me sekretarin e NATO-s, Vuçiç ka bërë përpjekje për ta paraqitur marrëveshjen si një zhvillim kundër Serbisë.
Ndërkohë që, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë tha se do të kërkonte llogari nga Kroacia dhe Shqipëria për këtë marrëveshje me Kosovën.
“Është një situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe ne do ta mbrojmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor potencial, qoftë ky edhe i fuqishëm”, tha Vuçiç për gazetarët në Bruksel më 19 mars.
Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Express” tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, s’ka pse të shqetësohet pasi marrëveshja mes tri shteteve ka të bëjë me aspekte të mbrojtjes.
“Nuk ka asnjë arsye që presidenti i Serbisë të shqetësohet, sepse bëhet fjalë për një marrëveshje mbrojtjeje”, tha ish-presidenti Mesiç për “Express”.
Ai e cilësoi marrëveshjen mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes si një marrëveshje të mirë, me mundësi që t’i bashkohen edhe shtete të tjera.
“Marrëveshja e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është e mirë, me mundësinë që edhe vende të tjera të bashkohen”, tha ish-presidenti kroat, Mesiç. //a.i/