Mesila Doda: Berisha, si Skënderbeu e Ismail Qemali. Do rikthehemi si Feniksi
Edhe pas humbjes rrënuese të PD-së në zgjedhje, ende askush nuk guxon që ta thotë një kritikë te vetme për Sali Berishën. Madje, pas fjalimit të djeshëm, duket se adhurimi për të nga deputetët e vet është rritur. Aq sa Mesila Doda, duke sjellë foton e një banke në Lushnjë, e ka krahësuar atë me Skënderbeun dhe Ismail Qemalin.
Kjo foto është marrë gjatë ditëve të numërimit të votave në gjimnazin 18 Tetori në Lushnje. Kjo është banka e Bruno L., nxënës në këtë shkollë. Kishte shkruar në bankën e tij këto emra: Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa boletini, Bajram Curri, Sali Berisha.
Unë jam krenare me liderin tim! Njerëzit e mëdhenj krijojnë shpesh keqkuptime me kohën në të cilën jetojnë. Berisha na mësoi të gjithëve se çdo të thotë ta duash Shqipërinë pa kushte, dhe Shqipërinë mund ta duash vetëm pa kushte.
Ne jemi forca që e ndryshuam këtë vend! Do mësojmë të ndryshojmë edhe veten dhe të kthehemi si Feniksi që lind gjithherë nga hiri i tij.
Të dashur miq! Ne kemi një histori, ne kemi me vete Sali Berishën, shkruan Doda në Facebook.
Ndërsa Majlinda Bregu e cilëson Berishën një lider të vërtetë, duke vendosur si foto kopertine në Facebook, pikërisht foton e kryeministrit në ikje./b.l