Mësuese Pranvera ndan përvojën në Onkologjik: E befasuar nga përkushtimi e profesionalizmi

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka ndarë historinë e Pranverës, një paciente e trajtuar në Spitalin Onkologjik, për të cilën përkushtimi i stafit mjekësor ka sjellë një rezultat pozitiv.
Pranvera, e cila për vite me radhë iu përkushtua mësimdhënies dhe edukimit të brezave të nxënësve, u rikthye pas shumë vitesh në jetën e një prej ish-nxënësve të saj, Armandit, tashmë mjek reanimator në Spitalin Onkologjik të QSUT-së.
Përkushtimi i mjekëve Armand Basha dhe Dr. Euglent Hoxha, kryeinfermierës Kristina dhe gjithë stafit të Spitalit Onkologjik ka ndihmuar në trajtimin e Pranverës, e cila sot shprehet e kënaqur me shërbimin e marrë.
“Jam operuar para një muaji e gjysmë në mitër. Tani vazhdoj mjekimin me doktor Euglent Hoxhën dhe Armand Bashën, reanimator. Operacioni doli me sukses, por plaga ime do kohë të mbyllet sepse jam me diabet. Jam e befasuar me përkushtimin dhe profesionalizmin aty. Jam e kënaqur me shërbimin e doktor Euglentit dhe stafit të tij”, u shpreh Pranvera.
Historia e saj, sipas QSUT-së, dëshmon rëndësinë e investimeve në teknologji, zbatimit të protokolleve ndërkombëtare dhe përkushtimit të ekipeve mjekësore në ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për pacientët, duke u dhënë më shumë shpresë pacientëve dhe familjeve të tyre.
/e.i/a.f/