Mësuesit, kriteret e reja për të përfituar shtesë page
Udhëzimi i MASH për kualifikimin e mësuesve, 5 pikë bonus për mësuesit me Master
Ministria e Arsimit ka nxjerrë një udhëzim ku përcaktohen qartë kriteret e reja të kualifikimit që duhet të plotësojë çdo mësues për të përfituar rritje page. Testimi për shtesë mbi pagë do të zhvillohet më 27 prill, ndërsa provimi do të jetë në grupe, sipas planit që do të përgatisë çdo institucion.
Shtesa sipas vjetërsisë
Kriteri bazë për testin e kualifikimit është vjetërsia në punë e cila duhet të jetë minimalisht 5 vjet për kategorinë mësues i kualifikuar; të paktën 10 vjet për kategorinë e kualifikimit mësues specialist; të paktën 20 vjet për kategorinë e kualifikimit mësues mjeshtër (dhe të paktën 10 vjet pas marrjes së kategorisë mësues specialist). Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë, që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind, ndërsa për të parën plus 20 për qind.
Trajnimet
Duke filluar nga viti 2014 e në vazhdim, kanë të drejtë të aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, mësuesit të cilët kanë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit, ku 1 ditë trajnimi është 8 orë zhvillim profesional, nga të cilat 2 orë janë seanca trajnimi, ndërsa orët e tjera
janë punë individuale ose në grup për përgatitje të detyrave tematike, rasteve studimore, projekteve,
eseve etj. Tri ditë trajnimi në vit kalendarik janë të barasvlershme me 1 (një) kredit. Punonjësit mësimorë që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende.
Portofoli
Portofoli personal i mësuesve duhet të përmbajë një sërë dokumentesh si: Curriculum Vitae (me fotografi); fotokopje të certifikatave me kredite; fotokopje të dëshmive të titujve/gradave shkencore (nëse ka); fotokopje të dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja (nëse ka). Ndërsa portofoli profesional përbëhet nga këto elemente: një plan mësimor vjetor (për një lëndë dhe për një klasë të caktuar); një test kapitulli; objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull (në një lëndë dhe klasë të caktuar); një plan ditor (ditar); një plan të një projekti kurrikular, së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.
Vlerësimi i portofolit
Komisioni i Vlerësimit të Portofolit (KVP), i ngritur nga titullari i DAR/ZA-së, vlerëson me 1-3 pikë secilin përbërës të portofolit profesional, sipas kritereve të përcaktuara me udhëzim nga IZHA. Kandidati, që nuk fiton të paktën 5 pikë për portofolin ose nuk dorëzon të paktën një
përbërës të portofolit, nuk merr pjesë në testin e kualifikimit. Kandidati fiton 5 pikë bonus në përputhje me secilin prej kritereve të mëposhtme: Me diplomë (SHPU, MND, master mbi 60 kredite ECTS, doktoratë), për mësues që janë
diplomuar para janarit 2011. Nëse diploma master është fituar mbas muajit janar 2011, duhet të jetë e njohur me provim shteti.
Gjuha e huaj
Gjuha e huaj duhet të jetë e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës për mësues që janë diplomuar para vitit 2010 ose në testime të njohura ndërkombëtarisht; për kualifikimin e vitit 2013, nëse mësuesi ka kryer të paktën 1 kredit nga lista e
programeve të akredituara.
Udhëzimi
Mësuesit e arsimit parauniversitar do të zhvillojnë testin e kualifikimit më datë 27 prill
Kriteret
Testimit do ti nënshtrohen vetëm ata mësues që kanë eksperiencë pune në fushën e arsimit 5 deri në 20 vjet
Paga
Mësuesi përfiton shtesë në pagë sipas kategorive: për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind, ndërsa për të parën plus 20 për qind.
Bonus
Kandidati fiton 5 pikë bonus nëse ka diplomë (SHPU, MND, master mbi 60 kredite ECTS, doktoratë), për mësues që janë
diplomuar para janarit 2011. ndërsa nëse diploma master është fituar mbas muajit janar 2011, duhet të jetë e njohur me provim shteti.