Universitetet, studentët refuzojnë lëndën e gjuhës shqipe
Pedagogët: Studentët do të penalizohen në provimin e shtetit
Asnjë student nuk e ka zgjedhur gjuhën shqipe si lëndë për ta studiuar në fakultet. Gjuha shqipe u fut si lëndë me zgjedhje në çdo fakultet pas shumë debatesh mes ekspertësh, të cilët konstatuan se studentët tanë kanë shumë pak njohuri mbi gjuhën shqipe.
Fakultetet
Drejtuesit e fakultetit të Mjekësisë thonë se gjuha shqipe është futur në program, por deri tani nuk është zhvilluar si lëndë pasi nuk është formuar grupi i nevojshëm i studentëve. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Bajram Hysa shprehet se pavarësisht se gjuha shqipe është një lëndë fakultative për mjekët e ardhshëm ajo është e nevojshme. “Ne ende nuk kemi mundur dot të realizojmë një sensibilizim masiv të studentëve. Mbase duhen gjetur forma më stimuluese. Kemi kërkesa të reduktuara për ta futur si lëndë me zgjedhje. Kemi menduar që ta lëmë në ditët e fundit duke grumbulluar kërkesa e duke e lënë në dorë të studentëve për ta zgjedhur si lëndë me një numër kreditesh të caktuara”, thotë Hysa.
Provimi i shtetit
Por nëse gjuha shqipe është një lëndë fakultative për të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës, ajo është e përfshirë në provimin e shtetit që studentët duhet të kalojnë për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit, çka i detyron ata që ta studiojnë gjuhën shqipe, pasi një mungesë informacioni do të ishte një penalizim për ta duke u konvertuar me humbje pikësh në testin e shtetit. “Imagjino 70 lëndë. Ti shtosh edhe akoma të tjera e që do futen akoma lëndë të tjera në kurrikul sepse ka mjaft lëndë të reja që kanë evoluar dhe futen për herë të parë edhe në kurrikulat e universiteteve perëndimore. Pra, ka një ngarkesë për hir të së vërtetës, por ne do bëjmë sensibilizimin e duhur sepse është i domosdoshëm”, tha Hysa.
Kërkesat
Në fakt gjuha shqipe nuk është ndër lëndët e preferuara edhe në fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës. Përveç Mjekësisë edhe dekanë të tjerë të Universitetit të Tiranës konfirmojnë se ka qenë shumë i ulët numri i studentëve që kanë kërkuar të ndjekin gjuhën shqipe, dhe për këtë arsye aktualisht ajo nuk është hapur si program.