Meta: Arrestimi im i paligjshëm; Duan të rrëmbejnë drejtimin e PL

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e konsideroi sot të paligjshëm urdhër-arrestin e lëshuar ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK).
Në një intervistë televizive nga ambientet ku po vuan dënimin me burg, Meta u shpreh se “Prokurorinë edhe SPAK-un në veçanti edhe Gjykatat i kontrollon një dorë, Partia”.
“Kam qenë shumë i moderuar me Dumanin sepse përfshirja e tij kriminale në këtë proces kundër meje si President i Republikës dhe kryetar i Partisë së Lirisë është e provuar”.
Sipas tij, urdhri i SPAK-ut është i paligjshëm sepse bazohet te një ligj i vjetër i shfuqizuar 4 vite më parë.
“‘Drejtësia e Re’ për Berishën dhe Metën, por edhe plot kundërshtarë të regjimit punon me ligje të vjetra dhe përdor metoda edhe më të vjetra që s’kanë lidhje me shtetin e së drejtës, me procesin e rregullt ligjor dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, u shpreh Meta.
Meta e konsideroi arrestimin e tij një goditje ndaj opozitës së vërtetë por edhe ndaj sovranitetit të popullit shqiptar dhe shtetit.
“Urdhri për arrestimin tim ka ardhur nga disa drejtime por ekzekutori sigurisht është Rama me Dumdumanët e tij. Interesi për burgosjen time është i mafias ndërkombëtare që kontrollon Edi Ramën dhe realizon interesat e saj dhe përfitimet e jashtëzakonshme në kurriz të popullit dhe kombit tonë”, tha ai.
Sipas Metës, “ky arrestim është një goditje ndaj zgjedhjeve të lira e konkurruese, siç është prej një viti edhe arresti në shtëpi i liderit të Partisë Demokratike, Berisha apo edhe nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, etj”.
“Ky arrestim u intereson të gjithë atyre që duan të mbyllin në heshtje një nga aktet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar, siç është ‘Çështja e Detit ku Edi Rama në mënyrë të vetëdijshme ka shkallmuar interesat sovrane të vendit në interes të palës tjetër duke dhunuar Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.’Po kështu përmes këtij arrestimi synohet të forcohet varësia e Shqipërisë ndaj faktorëve malinj rajonalë dhe në dëm të Kosovës”, tha Meta.
Meta theksoi se qëllimi kryesor i burgosjes së tij “është që grupi i marrë peng nga SPAK-u prej gati një viti të rrëmbejë drejtimin e Partisë së Lirisë përmes blerjes dhe shantazheve të anëtarëve të Kryesisë dhe Komitetit Drejtues Kombëtar, duke u përpjekur të eleminojnë Sekretarin e Përgjithshëm Tedi Blushi”.
Po ashtu, Meta tha se SPAK vetëm mashtron për CEZ-DIA-n.
“Unë shoqërinë me Kastriot Ismailin e kam patur që në fillim të viteve ’90 dhe kemi patur edhe hyrje e dalje familjare me prindërit e tij. Është e provuar se Kastriot Ismaili i ka patur vetë lidhjet me CEZ-in e çekët edhe për shkak të partneres së tij amerikane në biznes dhe marrëveshja CEZ-DIA ishte marrëveshje midis dy kompanive me interesa reciproke.
Gjithçka është trillim i DumDumanit dhe personazheve të neveritshëm që “Rilindja” dhe ai kanë përdorur për të shpifur përtej imagjinatës. Të gjithë me probleme me drejtësinë dhe shkeljen e ligjit”, tha ai.
/m.m/a.f/