Meta, Ceka e Milo mungojnë në protestën e PS, “Po NATO-s! Jo Berishës!”
Deklarata
Në fjalën e tij, kryetari i PS, Edi Rama, u përqendrua te rëndësia e ftesës që Shqipëria mori për t’u bërë anëtare e NATO-s, duke ritheksuar se kjo është një ditë e re për Shqipërinë dhe një etapë e re në historinë e saj. Kreu i PS theksoi sërish rolin e PS dhe kontributin që ajo ka në procesin e reformave, proces, i cili u finalizua me marrjes e ftesës për në NATO. Kreu socialist në fjalën e tij theksoi se motivi më i rëndësishëm i mitingut të djeshëm ishte festa e socialistëve për ftesën që Shqipëria mori për në NATO, pa lënë mënjanë edhe protestën kundër qeverisë për tragjedinë e Gërdecit.
“Jemi mbledhur këtu për të bërë pikërisht këtë, për t’iu gëzuar së bashku kësaj ore të mirë dhe për të sjellë më afër një të ardhme, ku jeta e çdo shqiptareje e shqiptari do të jetë një jetë e mirë, e mbrojtur prej rreziqeve që na kanosen sot të gjithëve prej mungesës së shtetit dhe e mbushur me shanse e mundësi për të realizuar ëndrra, dëshira, ambicie të natyrshme që sot mbeten në tentativë për shumicën dërrmuese mes nesh prej një politike të vjetër që për 17 vjet me radhë i është bërë pengesë zhvillimit të demokracisë, lirisë individuale e barazisë para ligjit. Mbrëmë në darkë, një qytetar më përgëzoi për kontributin që ne dhamë për arritjen e djeshme të Shqipërisë dhe më pyeti: “A ka kuptim të protestoni nesër kundër qeverisë?” Përgjigjja ime është: Për politikën e qytetarëve një orë e mirë si kjo, është ora më e mirë për t’u gëzuar së bashku për të sotmen dhe për t’u mbledhur së bashku për të ardhmen. Duke manifestuar kënaqësinë tonë të veçantë për ftesën që Shqipëria mori dje për anëtarësimin në NATO dhe shqetësimin tonë legjitim për të nesërmen e kompromentuar prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit që është bërë palca e qeverisjes së sotme”, - tha Rama.
Protesta
Megjithëse ishte konceptuar si një festë për marrjen e ftesës për në NATO, në sheshin e protestës së PS nuk kishte asnjë flamur të NATO-s. Gjithashtu, kanë munguar edhe flamujt e partive të tjera aleate të PS. Në vend të krerëve të partive aleate me PS, përkrah Ramës ndodheshin përfaqësues të ish-ushtarakëve, përfaqësues të forumit rinor eurosocialist, por edhe një përfaqësues i shoqatës “Gërdeci”. Përkrah Ramës ndodheshin edhe deputetë të PS.
Ndërsa protestuesit mbanin në dorë parulla të ndryshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha: “Shpëto një jetë, jep dorëheqjen!”, “Poshtë berishizmi!”, “Ik, se ta paguajmë ne biletën!”, “Berisha, ik në paqe!”, “15 marsi, lamtumirë Salë!”, “Historia të dënon si vrasës!”, “S’ka letër higjienike të të pastrojë!”, Jo Berishës, Po NATO-s!”, “Populli vendosi, ti duhet të bindesh!”, “Ti je turpi i kombit!”, “Kamikaz me imunitet!”, “Diktatori i fundit në Evropë duhet të bjerë!”
Me parullat dhe flamujt e PS protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku dhe zhvillohej një koncert festiv nga qendra kulturore “Pjetër Arbnori”, me rastin e marrjes së ftesës për në NATO, ndërsa pak metra më lart, në hotel “Rogner”, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, kishte organizuar pritje për deputetët, trupin diplomatik, përfaqësues të medias dhe organizmave të tjerë, me rastin e marrjes së ftesës për në NATO.
Në protestën e djeshme vihej re një numër më i vogël protestuesish krahasuar me marshimin e opozitës i dy javëve me parë, megjithëse prej më shumë se një jave, deputetët e PS ishin të angazhuar në zonat e tyre elektorale për të organizuar elektoratin socialist të bëhej pjesë e protestës së djeshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Në protestën e djeshme të organizuar nga PS, mungonte edhe një pjesë e konsiderueshme e grupit parlametar socialist.