E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura letrare e Trifon Xhagjikës

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes

1. URA POETIKE E VENDLINDJES

Afërsisht një vit më parë u përurua ura që lidh fshatin Peshtan në rrethin e Tepelenës me rrugën kombëtare Tepelenë–Përmet. Për herë të parë që nga koha kur nisën të qarkullojnë automobilat, shkelën atje makinat e para. Për herë të parë shkuan atje edhe njerëz që nuk kishin lidhje të forta me fshatin dhe banorët e tij. Për herë të parë shkela edhe unë, në atë fundqershor të 2007-ës dhe për herë të parë pashë Vjosën dhe valët e saj, nga ana tjetër e lumit, sepse, si njeri i rritur buzë lumit iu dhashë rëndësi vendeve ku mund të lahesha dhe të peshkoja. E ndërsa ngjitesha në të përpjetën e thepisur, të zbutur tashmë nga traseja e re, me makinën e një peshtanaku të përmalluar dhe me familjen e tij, unë ndjeva se këtë fshat e kisha të njohur, se e kisha shkelur dhe herë të tjera, se ajo tokë e lagësht që ushqente fshatin dhe i jepte ngjyrën jeshile është prekur më parë edhe nga unë, se ato rrugica dhe shtëpi të fiksuara nga mungesa e urës i kisha parë dikur, se ato valë nazike dhe atë monolog të papushim Vjose e kisha dëgjuar shpesh.

Një çast mendova se kjo ishte përkitje mes fshatrave tanë, e kushtëzuar nga ai standard i diktaturës. E ndërsa hapëm një portë dhe hymë brenda një shtëpie të rrënuar, unë njoha fikun e plakur “plot gunga e të çara” të Xhagjikajve. Atëherë u binda se vërtet kisha qenë këtu. Kisha ardhur nëpërmjet urës letrare të poetit Trifon Xhagjika.

Shikoja me radhë stolitë e këtij fshati, të cilat ky djalë, vërtet i tij, i kishte zbuluar dhe i kishte nderë aq ëmbël nëpër vargje, saqë kur i lexoje të krijohej përshtypja e një ode miqsh. Duke kaluar nëpër tunelet e blerta ndjeja magjinë që mbart ky fshat, fuqinë që të mëkon atmosferisht e që përforcohet nga ai peizazh malor, i cili të kultivon triumfin nëpërmjet mospërshtatjes…

2. URA LETRARE E LIRISË

A është vepra dhe jeta e Trifon Xhagjikës vetëm një urë e hershme e vendlindjes së tij, apo ajo të çon diku tjetër? Të gjitha urat letrare ndërtohen për një kohë të gjatë brenda shpirtit, shumë më ngadalë se urat e betonta dhe janë përherë në përsosje. Siç dihet, urat janë simbole të lidhjes e të komunikimit, por ura letrare e këtij poeti të përkorë është shumë më e vlefshme se çdo urë tjetër, sepse në çastin që ti e bën për vete, ajo mbart magjinë për të të zhveshur nga iluzionet tokësore, sepse ajo ta largon përfundimisht mjegullën e kuqerremtë, sepse ajo të shëron nga verbëria politike, sepse ajo i ul mitet në tokë për t’i matur me raporte tokësore. E pasi e ke kaluar këtë urë, pasi e ke ndjerë vërtetësinë e tyre nga praktika jote, ti nuk i thua më zhabës limon e zhapikut portokall, nuk iu këndon më atyre, sikundër thotë Çehovi për një personazh të tij.

Trifon Xhagjika është i ndërgjegjshëm për rolin e tij si qytetar, si poet. Ai e ndjen se koha i ka dhënë misionin e vështirë të një fanari të fuqishëm lirie në natën e ashpër të komunizmit. Dhe ai nuk ngurron, i del zot detyrës. Respekti për veten dhe për të vërtetën krijoi tek ai fuqinë e madhe të të diturit dhe u vetësakrifikua për lirinë. Fjalët e tij janë të vërtetat që njerëzit nuk i kuptojnë ose nuk arrijnë t’i artikulojnë dot vetë. Ai shtrihet drejt tyre me superurën e fjalës, sepse një fjalë e lirë është e magjishme.

Kush të thotë ty nënë sot (Partisë)

Veten dhe ty gënjen…

Kurthi

Dhe gënjeshtra,

Shëtisin të lirë në rrugë

Njerëzit kanë frikë t’i prekin…

Revolta e Trifon Xhagjikës fillon…

Po tani,

Të pështyj unë dua

Se ti nuk pate turp

Të mbytësh historinë.

Le të më thonë të çmendur,

Unë gjithçka ndjej,

Gjithçka e prek!

3. URA METAFORIKE

Te poezia “Ndihmomëni të qesh”, e shkruar në errësirën e qelisë dhe e deklamuar për herë të parë dhe të fundit në sallën e gjyqit, metafora e Xhagjikës është një përshkrim i trishtimit dhe i dhembjes që sundon në Shqipërinë e atyre viteve. “Atdheu është lakuriq” është vargu brilant, përgjithësues, vargu rontgen. Këtij atdheu të rraskapitur i mungon realisht ngrohtësia, sepse “republikanët” e kanë verbuar atë, e kanë ndarë nga rrugët e begata dhe e kanë drejtuar drejt shkretëtirës. Poetit i dhimbset, ndaj ai e zvogëlon dhe e ruan në zemrën e tij. Ka ndodhur e kundërta. Ndaj, thirrja “ndihmomëni të qesh” është ndihmomëni të shpëtojmë atdheun.

Sistemi komunist e zhveshi qytetarin nga prona, e lidhi pas qerres së shtetit, duke e nënshtruar për bukën e gojës. Pasi realizoi këtë varësi me anë të kolektivizimit, tentoi ta zhvishte këtë njeri edhe shpirtërisht. Poeti nuk e duron dot këtë mësymje, në kufijtë e Zotit, andaj ai shpërthen:

Pasionet janë prona ime,

Asnjë të drejtë

Të tjerët s’kanë mbi të.

4. URA METRIKE

Struktura poetike, sipas teorisë së letërsisë, nxjerr pasurinë kuptimore të autorit, d.m.th ajo zgjidhet prej tij për të realizuar sa më mirë “derdhjen poetike”. Shumica dërrmuese e poezive, sidomos ato të viteve të fundit, Trifon Xhagjika i ka shkruar në varg të lirë, ndryshe nga një pjesë e mirë e krijuesve bashkëkohorë, të cilët ende krijonin poezi me varg të rregullt dhe me rimë.

Vargu i lirë zgjidhet nga poetët për të ruajtur rrjedhën natyrore të emocionit, “përroin poetik”, që ka shkumë, valë, temperaturë, për të shmangur “firot” që vijnë nga zëvendësimi i fjalëve për efektin rimë.

Unë besoj se zgjedhja e vargut të lirë është thjesht një kundërvënie e “prorepublikanëve”, por është edhe një detyrim i pashmangshëm, që buron nga ligji universal i lirisë, nga autoriteti i tij gjithëpërfshirës…

5. URA METAFIZIKE

Është shpejt?

Jo!

Kështu të vegjël dukemi.

Jemi në gjunjë,

Por…

Po të ngrihemi, të marrin frymën…

(Por...)

……………………

Shafrani gjumin ta largon;

Njeri, me të mos shko,

Se dhe në kthehesh,

Xhelat do të jesh,

Kështu askush s’do

(Heroi i natës, nata e dytë)

Kush rron pa forca

(Qoftë dhe për një çast),

Bëhet bar.

(Lodhje)

Urren i pafuqishmi

(Këngë e grisur)

6. KTHIM NËPËR URËN E TIJ

Vendimi unanim i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tepelenës, për t’i dhënë Trifon Xhagjikës titullin “Qytetar Nderi i Tepelenës” është zëri i kohës, që vjen për të korrigjuar padrejtësitë. Me këtë veprim disidenti politik dhe letrar është ngjitur formalisht në altarin e njerëzve më të shquar të Tepelenës, pasi në të vërtetë ai është pronë kombëtare e disidencës aktive politiko-letrare kundër komunizmit, është pjesë e antologjisë së shkollave tona, është në bibliotekat e njerëzve që e duan dhe e respektojnë lirinë.

E ndërsa ai u ngjit, ata që e rrëzuan zbritën nga parajsa ku hipën vetë dhe ranë sërish në humnerën që meritojnë. Teksa kthehet nëpër urën e tij, unë e shoh atë po me atë vështrim “mirëkuptues dhe krenar”, për të cilin flet ish-avokatja e tij, zonja Vera, mirëkuptues për ata që votuan dhe krenar për atë që ka bërë.

Trifon Xhagjika është një nga shembujt e shumtë, se e vërteta është një shtegtare e palodhur, që u reziston mrekullisht kohërave inerte duke pritur çastin e duhur për të triumfuar, për t’u shpalosur e për të vendosur rendin normal të vlerave. Gjithkush mund të mendojë ndryshe, por arsyeja është mendimi që llogarit, ndërsa çmenduria është një lloj gjendjeje, ku mendimi nuk i vendos gjërat në lidhje me njëra-tjetrën, por në një lidhje ndryshe, që nuk ka më lidhje me llogaritë normale dhe prandaj flasin për vdekjen, hyjnoren, qiellin dhe tokën. Këtë e bëjnë vetëm ata të që Platoni i quante “njerëz ku banon Zoti”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›