Meta: Dialog, Berisha gati të takojë Ramën

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm ,Ilir Meta ka propozuar dialogun si mundësi të zgjidhjes së situatës politike në vend duke deklaruar se kryeministri Berisha është i gatshëm për t'u takuar me kreun e PS-së Rama. Por Meta nuk u deklarua për mundësinë e ndërmjetësimit të tij mes PS-së e PD-së. "Berisha është i hapur për të takuar Ramën. Mazhoranca ka vullnet për zgjidhje, e cila të jetë në kuadër të shtetit ligjor", tha Meta në një konferencë për shtyp.
Ministri është shprehur i trishtuar për vazhdimin e grevës nga deputetët dhe mbështetësit e PS-së dhe pohoi se mënyra më e mirë për zgjidhje do ishte kombinimi i transparencës me Kushtetueshmërinë. "Ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat që përmes dialogut të arrihet dalja nga kjo situatë dhe të gjitha pretendimet e tyre për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të merren në konsideratë duke respektuar parimet e shtetit ligjor", u shpreh Meta.