Greva, gratë në protestë kundër Edi Ramës
Vendimi i socialistëve për të hyrë në grevë urie dhe përfshirja në të edhe të disa grave ka sjellë reagimin e fortë të disa shoqatave të grave. Shoqata të ndryshme në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, personalitete gra të botës së artit, nëna, kryefamiljare nga e gjithë Tirana e përtej, u bashkuan në një protestë të fuqishme kundër Edi Ramës. Mbi 7 mijë gra rrethuan Bashkinë e Tiranës, duke i kërkuar kreut të saj, Edi Rama, të nxjerrë menjëherë nënat nga greva e urisë ku i ka futur si një akt çnjerëzor. Zoti Rama, dramën tënde me fëmijë mos e kthe në dramë të fëmijëve të nënave shqiptare. Vetëm një katil mund ti heqë fëmijës nënën nga koka dhe ta fusë në burgun e rrugës, siç ke bërë ti, - ka pohuar një prej grave pjesëmarrëse në këtë protestë. Indinjatë dhe kritika ndaj kryebashkiakut njëkohësisht kreut të PS-së kanë shprehur dhe artiste të njohura, si Suela Konjari dhe Edi Luarasi. Të flas si grua, nuk futen gratë në grevë. Nxirri nënat nga greva!, - tha Suela Konjari. Ndërsa Luarasi pohoi se Rama nuk duhet të pengojë liberalizimin e vizave. Ti, zoti Rama, nuk mund të na pengosh heqjen e vizave. Ne duam të shohim fëmijët tanë. Ne duam të shohim mbesat dhe nipat tanë që jetojnë jashtë. Ti smund ta prishësh këtë moment që mezi po e presim, - tha Luarasi.