E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta: Divorci, i motivuar nga ndarje të papajtueshme të lidhura me kauza politike

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta sqaroi sot në mbledhjen e kryesisë politike të Partisë së Lirisë arsyet e vendimit të një dite më parë për ndarjen me bashkëshorten Monika Kryemadhi.

Meta tha se vendimi i tij ishte i motivuar nga ndarje të papajtueshme, që sipas tij, lidhen me kauzat e mëdha që mbron, dhe që i cilësoi jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Ky vendim ka qenë më i vështiri në jetën time, por është objektiv, dhe nuk është as i rastësishëm, dhe as i çastit. Është i motivuar, nga ndarje të papajtueshme, që lidhen me kauzat e mëdha që unë mbroj, dhe që janë etike për Shqipërinë dhe shqiptarët, sot dhe përgjithmonë. Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve, që u morën me shumë sakrifica dhe me gjak”, u shpreh ai.

Meta deklaroi se qëndrimet e vazhdueshme sistematike të saj, krejtësisht në krah të kundërt, të kauzave që ai mbron, dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë, duhet të merrnin fund.

Meta u kërkoi ndjesë edhe tre fëmijëve me Kryemadhin për shqetësimet e përjetuara, teksa shtoi se vendimi ishte marrë për ti shkuar deri në fund betejës me mafian.

“Ky vendim i imi, nuk lidhet me rolin dhe raportet me të si grua, apo si nënë e 3 fëmijëve tanë të mrekullueshëm. Nuk po ndahem me një grua, për një grua tjetër. Por, për të përmbushur kauzat që unë mbroj, dhe për të cilat kjo marrëdhënie ishte kthyer në një pengesë serioze. U kërkoj shumë ndjesë, tre fëmijëve të mi të mrekullueshëm, për shqetësimet që kanë përjetuar në mënyrë të padrejtës. U kërkoj ndjesë, edhe të gjithë njerëzve të afërm, sidomos dy prindërve të mi të mrekullueshëm, por ata më kanë edukuar me ndjenjën e detyrës, dhe unë besoj në mirë kuptimin e tyre. E mora këtë vendim, për ti shkuar deri në fund betejës me mafian, e cila peng marrjen dhe shantazhin e ka në natyrën e saj më të errët dhe të ndyrë.

Sipas tij, interesi kombëtar, ka mbizotëruar në të gjithë investimin e tij politik, dhe njerëzor, prej 34 vitesh, dhe asnjëherë interesi personal, apo ai familjar.

“E gjithë jeta ime politike, i është përkushtuar integrimit europian të Shqipërisë, që nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit 90’, e deri në momentin, kur si President i Republikës në detyrë, u kërcënova, në emër të mafies ndërkombëtare dhe për llogari të Edi Ramës, që të pranoja falsifikimet e mercenarit Dvorani, për të pranuar betimin tek noteri tek Lana, për rrëmbimin e Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm të këtij vendi, dhe çdo demokracie të vërtetë”, tha ai.

Nga ai moment, shtoi Meta, i jam përkushtuar rikthimit të sovranitetit kombëtar, dhe idealeve të popullit të 2 Marsit, të cilit do t’i qëndroj besnik, edhe në botën tjetër.

“Ne do ta fitojmë këtë betejë ndaj mafies ndërkombëtare, dhe mercenarëve vendas”, deklaroi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›