E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta: Dumani ka si qëllim të godasë udhëheqësit e vërtetë të opozitës

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi sot se, do të kandidojë për deputet në Qarkun e Tiranës.

I pyetur për deklaratën e kreut të Partisë Demokratike se opozita do të garojë në koalicion në zgjedhjet e ardhshme, Meta tha se, “nuk e kam ndjekur intervistën e z. Berisha. Jemi në solidaritet të plotë me betejën e tij të jashtëzakonshme kundër narkoshtetit dhe me të gjitha sakrificat që ai po bën, të cilat tregojnë qartë tmerrin e regjimit nga opozita e vërtetë dhe nga prezenca e saj në parlament”.

Për përgatitjet që po bën PL për zgjedhjet e ardhshme në qarkun e Tiranës, Meta tha se, “PL ka nisur përgatitjet në të gjithë vendin dhe pa asnjë diskutim ka nisur përgatitjet dhe në qarkun e Tiranës ku do të kandidoj dhe unë si President i PL dhe ku do të kemi një rezultat fantastik”.

I pyetur në një konferencë për shtyp se a po hetohet për transaksione të dyshimta financiare dhe pasuri të paluajtshme jashtë vendit, Meta tha se, SPAK nuk ka për të gjetur asnjë akt të paligjshëm apo të fshehur nga ai.

Meta shtoi se, SPAK ka 5 vjet që heton për të dhe “as ka gjetur, as ka për të gjetur, në këtë botë dhe në çdo lloj bote, asnjë lloj akti të Ilir Metës në kundërshtim me ligjin. Asnjë veprim të paligjshëm, asnjë llogari gjëkundi, asnjë pronë të padeklaruar, asnjë pronë të fshehur dhe asgjë tjetër”.

“Po, jemi në dijeni të plotë që falë përpjekjeve për të gjetur diçka rreth Ilir Metës, kanë gjetur diçka rreth njerëzve që dikur Ilir Meta i ka patur pranë edhe përpiqen ti përdorin si ‘pentito’ të deklaruar apo të padeklaruar, duke bërë dhe inskenime të bisedave gjoja ambientale, të cilat janë një estradë e vërtetë”, tha Meta.

Meta tha se akuzoi kreun e SPAK, se ka si qëllim të godasë udhëheqësit e vërtetë të opozitës.

“Ilir Meta është këtu, do të jetë gjithmonë këtu dhe Dum-Dumani ka vetëm një qëllim, të përdori njerëzit e korruptuar të opozitës, njerëzit e kapur të opozitës për të goditur udhëheqësit e vërtetë të opozitës dhe për të instaluar një fake opozit, e cila garanton pandëshkueshmërinë e Edi Ramës dhe së dyti që krimet, sic është ai I inceneratorit dhe shumë krime të tjera që janë grabitje pa maska në mes të diellit, quhen ‘’krime intelektuale’’, theksoi Meta.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›