E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta: Dumani po përdor SPAK për të marrë peng njerëz brenda opozitës

TIRANË, 16 shtator /ATSH/-Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha sot, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga selia e partisë së Lirisë, duke ju referuar hetimit ndaj ish Kryeministrit Sali Berisha, se kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, është një rreshter i Rilindjes, që ka kthyer me drejtimin e tij SPAK-un në një organizatë kriminale”.

Sipas Metës, “Po kështu e ka përdorur dhe përdor institucionin e tij për të marrë peng njerëz brenda opozitës dhe partive të opzitës, për të bërë diversion, për të krijuar forca të reja politike, në mënyrë që të lehtësojë sa të mundet regjimin e kalbur të Edi Ramës, të kalojë edhe ca kohë. Por, nuk do të ketë asnjë sukses”, tha Meta.

I pyetur nga gazetarët, lidhur me vendimin e Kuvendit për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, Meta e konsideroi si “një puç shumë i rëndë kundër Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë”.

“Është grusht shteti. Në Shqipëri ka ndodhur një grusht shteti në mënyrë të vazhdueshme. Ju i dini rezervat e mia, për vetë Gjykatën Kushtetuese, për integritetin e saj, që u cënua rëndë nga I gjithë ai proçes, që kur nisi formimi i Gjykatës Kushtetuese. Nuk dua të ju kthej pas, tek betimet që bëheshin tek noteria tek Lana, apo tek ligji për të hequr betimin përpara Presidentit të Republikës, sipas Kushtetutës, që e rrëzoi Venecia dhe populli.
Apo, dhe shumë akte të tjera. Kjo tregon dhe njëherë tjetër, se kemi të bëjmë me një regjim, edhe duhet të organizohemi, ashtu siç duhet për t’u ndeshur me regjimin”, tha Meta.

Duke folur për situatën ekonomike, Meta tha se “Shqipëria ka treguesin më të lartë të shlyrjes së borxhit me eksportet e mallrave për arsye të nivelit shumë të ulët të eksporteve krahasuar me vendet e rajonit”.

“Shqipërisë i duhen të ardhurat publike të 2.2 viteve fiskale për të shlyer borxhin, ndërkohë Kosovës i duhet 0,6 vit fiskal, Bosnjë-Hercegovinës 0.7 vit fiskal, Serbisë 1.1 vite, Malit të Zi 1.5 dhe Maqedonisë së Veriut i duhen të ardhurat publike të 1.7 viti fiskal për të shlyer borxhin.

Meta theksoi se, Shqipërisë i duhen eksportet e 7 viteve fiskale për të shlyer borxhin.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›