E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta: Mbështes kërkesën e Berishës për qeveri teknike

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta komentoi sot protestën e mbrëmshme të opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se “Berisha është kthyer në një simbol të opozitarizmit të pandalshëm, të përditshëm, të përnatshëm, falë izolimit kriminal nga Rama me veglat e tij në SPAK që i kanë bërë liderit demokrat”.

“Arsyet pse qytetarët ishin të shumtë në një ditë aq të nxehtë është për faktin se 1 milionë prej tyre janë përzënë nga Rama përmes spastrimit etnik nxitur nga Beogradi”, shtoi ai.

“Jemi të parët në Evropë për korrupsionin, varfërinë, për pagat më të ulëta e pensionet skandaloze, për numrin më të madh të të burgosurve brenda dhe jashtë vendit në raport me popullsisë”, tha më tej Meta.

Meta u shpreh se vendi ka nevojë për qeveri teknike dhe se duhet organizim shumë herë më i fuqishëm në të gjithë drejtimet për të imponuar këtë kërkesë.

“Jam absolutisht i bindur se vendi ka nevojë për qeveri teknike, mbështes plotësisht këtë objektiv të shpallur nga lideri i PD-së, Sali Berisha dhe unë jam shumë i bindur që do ta fitojmë këtë betejë sepse udhëhiqemi nga interesi kombëtar, parimet tona janë shumë të drejta dhe të shëndetshme, kanë të bëjnë me rikthimin e sovranitetit tek populli shqiptar. Na mbetet të organizohemi shumë herë më fuqishëm në të gjithë drejtimet, për të imponuar këtë kërkesë të drejtë”, tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›