E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta: Mbështetje për kërkesat e drejta dhe legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta theksoi sot mbështetjen e vendosur të PL-së për kërkesat e drejta dhe legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dinjitet dhe identitet, duke shprehur solidaritet me protestën e tyre legjitime.

“Kërkojmë respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur si dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve dhe qeverive në Beograd”, u shpreh Meta.

“Kërkojmë që të respektohet plani dhe programi për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë dhe marrëveshja e Konçulit e vitit 2001”, tha Meta.

Po kështu, shtoi ai, “të respektohet marrëveshja për organizimin e trupit koordinues dhe rikonfirmimi i parimeve të marrëveshjes së vitit 2001″.

Meta këkroi “të respektohet plani 7 pikësh të cilin qeveria e Serbisë në tërësi e ka aprovuar në vitin 2013”.

Meta i bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, që kanë garantuar këto marrëveshje, të reagojnë, të veprojnë dhe të ruajnë kredibilitetin e tyre.

“Ndalimi i çdo forme diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, heqja dorë nga praktikat shkombëtarizuese si procesi i apsivizmit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, respektimi i plotë i të lirive dhe të drejtave themelore individuale dhe kolektive të tyre, vetëm ndihmon bashkëjetesën ndëretnike në Serbi dhe kontribuon për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, nënvizoi Meta.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›