Meta: Nëse do të ishte për LSI-në, statusin do e kishim marrë me kohë
Ilir Meta ka qenë në Skrapar gjatë ditës së sotme, ndërsa është ndalur sërish tek çështja e imunitetit. Sipas Metës, politika shqiptare duhet të reflektojë dhe duhet të heqë imunitetin, pasi është një nga kriteret kryesore për marrjen e statusit kandidat.
Sipas Metës, të ishte për LSI-në, ky status do të ishte marrë me kohë (sidomos pas shfaqjes së Ilir Metës në një video ku kërkonte 700 mijë euro ryshfet).
Politika shqiptare duhet të bëjë gjithçka për marrjen e statusit kandidat. LSI ka qenë konstruktive në vendimet e saj, të ishte për LSI ky status do ishte marrë kohë më parë. Gjëja kryesore që duhet të zgjidhim është çështja e imunitetit, pasi faktori kohë është shumë i rëndësishëm, tha Meta.
Këtë gjë Meta e ka argumentuar me faktin se LSI ka qenë gjithmonë një parti konstruktive dhe bashkëpunuese, në të mirë të shqiptarëve. Pra, Meta ka lënë të kuptohet se PD dhe PS (kjo e fundit më shumë) janë bërë pengesë deri më tani për marrjen e statusit.
