E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-PS-së: Nuk do të dorëhiqem

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta duke iu referuar kërkesës së PS-së për të dhënë dorëheqjen pas arrestimit të një punonjësi të Ministrisë së Jashtme në ambasadën amerikane për drogë, ka deklaruar se nuk do dorëhiqet por do ta bëjë këtë vetëm atëherë kur të mbarojë afati kushtetues, pra pas 3 vjetësh. Ai tha se arrestimi i punonjësit tregon se toleranca zero e kesaj qeverie për korrupsionin nuk kursen askënd."Duhet të përgëzoj organet tona të specializuara për zbatimine ligjit dhe bashkëpunimin e tyre me partnerë amerikanë që konfirmon edhe një herë se për këtë qeveri toleranca zero kundër korrupsionit është e pandalshme dhe nuk do kursehet askush. Ftojmë edhe opozitën të bashkëpunojë për të ecur para në reforma kundër krimit dhe korrupsionit. Dorëheqjen do ta jap kur të mbarojë afati i percaktruar me kushtetutë, pas 3 vjetësh ", u shpreh Meta.

Sa i përket koalicionit me PD-në, kreu i LSI-së Meta e cilësoi atë si një koalicion funksionues. "Që nga dita që u shpall koaliconi i imponuar nga votat e sovranit ka treguar se ka qenë një koalicion funksionues. Ka një bilanc pozitiv që ka treguar se fuksionojnë intitucionet qeverisëse dhe ka progres të qartë në raportet Shqipëri-BE. Koalicioni përkon me ditëlindjen e Edi Ramës, të cilit e uroj " , theksoi ai.

Ministri i Jashtëm Meta dënoi sulmin ndaj deputetit serb Miletiç duke pohuar se sulme të tilla synojnë të dëmtojnë imazhin e Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Meta nënvizoi gjithashut se nuk mund të ketë shkëmbim të territorit Kosovë-Serbi. "E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve, por heqja e kufijve. Statusi e kufijtë e Kosovës janë të pakthyeshëm. Të gjithë duhet të kuptojmë se duke respektuar kufijtë e njëri tjetrit i afrohemi më shpejt integrimit", saktësoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›