E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Politika në Maqedoni duhet të bazohet në Marrëveshjen e Ohrit. Shqiptarët e meritojnë plotësisht të ardhmen e tyre evropiane

14-10-2012 / Gazeta 55

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta gjatë një interviste për portalin Almakos dhe për gazetën Lajm në Maqedoni shprehet rreth zhvillimeve të brendshme në Maqedoni se, duhet t’i shërbejnë klimës së mirëkuptimit dhe bashkëjetesës etnike, përmes respektimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Meta flet për progresin euro-atlantik të Shqipërisë, duke theksuar se, Shqipëria është përballur me momente të vështira dhe konflikte politike, por “shqiptarët e meritojnë plotësisht të ardhmen e tyre evropiane”. Sa i takon zhvillimeve në Kosovë, Meta thotë se, “Kosova është në rrugën e drejtë dhe të sigurt drejt konsolidimit të demokracisë”

Zoti Meta tranzicioni në Shqipëri po zgjat plot 20 vite? Si e vlerësoni ecjen e Shqipërisë përpara, ju duket kjo ecje e ngadaltë dhe si do i komentoni vlerësimet se Shqipëria ka mbetur peng e inateve ndërpartiake?

Mendoj se Shqipëria tashmë e ka kaluar fazën e tranzicionit dhe po përjeton fazën e konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të saj. Shpreh bindjen se që prej daljes nga komunizmi, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, nëse konsiderojmë të kaluarën tonë. Është më se normale që vendi është përballur me momente të vështira dhe me konflikte politike, nëse i konsiderojmë këto vështirësi si pjesë e procesit të pjekurisë politike të vendit. Gjatë këtyre viteve të fundit, mendoj se Shqipëria ka avancuar dukshëm. Jemi anëtarë të NATO-s, shqiptarët përfitojnë nga regjimi i liberalizimit të vizave me zonën “Schengen” dhe Komisioni Evropian sapo ka rekomanduar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Është e vërtetë që shumë prioritete mund të ishin përmbushur më parë nëse vendi nuk do të ishte marrë peng nga klima konfliktuale politike që pengon një zhvillim më të shpejtë të vendit. Sidoqoftë, sot kemi arsye për të festuar dhe shqiptarët e meritojnë plotësisht të ardhmen e tyre evropiane.

Si e komentoni paraqitjen e AK-së dhe FRD-së në skenën  politike shqiptare. A munden ta rrezikojnë ato pozitën e LSI-së si forcë e tretë politike në Shqipëri? 

Shqipëria është vend demokratik, dhe ka patur gjithnjë hapësirë për grupime të reja idesh dhe njerëzish. LSI është konsoliduar tashmë si forcë solide me një elektorat jo vetëm besnik por gjithnjë në rritje. Kjo u duk qartë edhe në performancën tonë të shkëlqyer gjatë zgjedhjeve lokale të 2011, kur ne si parti e rritëm votën tonë me rreth 50%. Jam i bindur që politikat tona konstruktive vlerësohen qartë nga qytetarët, dhe për këtë kemi pritshmëri tepër pozitive për zgjedhjet e ardhshme. Jeni të ftuar të pasqyroni Konventën tonë kombëtare që do të zhvillohet në 27-28 tetor, kur do të shihni qartë energjitë pozitive që përçon Lëvizja Socialiste për Integrim në elektorat.

Që nga rënia e komunizmit e këtej në Shqipëri janë mbajtur shumë zgjedhje vendore e parlamentare të cilat kanë vetëm një të përbashkët – thujase kurrë rezultatet e tyre nuk i ka njohur humbësi i zgjedhjeve. Shpresoni se zgjedhjet parlamentare të 2013 do jenë të parat që do ndërpresin këtë dukuri?

Shpresoj shumë në rritjen e përgjegjësisë politike, veçanërisht tani që jemi edhe vend kandidat për në BE. Qytetarët tanë meritojnë më tepër, dhe shpeshherë tregojnë pjekuri më të madhe se politikanët që i përfaqësojnë në Parlament. Mendoj se me mekanizmat e duhura zgjedhore, një vullnet pozitiv nga të gjitha palët dhe me monitorimin që do t’u bëhet zgjedhjeve të ardhshme nga vëzhguesit vendorë e të huaj, mund të shpresojmë që rezultati përfundimtar të jetë i pakontestueshëm dhe pala humbëse t’i japë dorën atij që fiton votëbesimin e popullit.

Cili është bashkëpunimi juaj me partitë shqiptare jashtë Shqipërisë? Mendoni se subjektet politike në hapësirën mbarëshqiptare afrohen me njëra tjetrën shkaku i programeve politike apo interesave tjera?

LSI e ka patur gjithnjë prioritet bashkëpunimin rajonal dhe besoj se kombi shqiptar është faktor vendimtar për mbarëvajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, marrëdhëniet tona me faktorët kryesorë shqiptarë në vendet fqinje kanë qenë dhe mbeten të shkëlqyera. Kemi bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm me faktorin politik shqiptar si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni e Mal të Zi, për të mos lënë jashtë edhe Preshevën, të cilën pata rastin t’a vizitoja para dy vitesh. Ne i mbështesim partitë shqiptare jashtë Shqipërisë dhe i kemi inkurajuar gjithnjë që të luajnë një rol sa më konstruktiv ne vendet respektive dhe të faktorizohen si elemente sa më pozitive, duke treguar kështu vlerat më të mira të kombit tonë. Besoj se trashëgimia dhe identiteti ynë kombëtar na e bën bashkëpunimin edhe më të lehtë, dhe besoj se shqiptarët në Ballkan, janë ura të shkëlqyera bashkëpunimi edhe mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. 

Kosova tani jeton pavarësinë e plotë dhe e tejkaloi fazën e pavarësisë së mbikëqyrur? Mendoni se kjo do i bëjë institucionet kosovare më efikase se sa ishin?

Kosova ka realizuar në pak vite, një reformim rrënjësor dhe historik për sa i përket ndërtimit të institucioneve dhe garantimit të të drejtave të minoriteteve me një Kushtetutë tepër moderne që garanton të drejtat e të gjithë komuniteteve, dhe me një vullnet të padiskutueshëm për të avancuar drejt integrimit evropian. Fundi i mbikëqyrjes është shenjë e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe i hap rrugë asaj që kishim ëndërruar prej vitesh, pra pavarësisë së plotë dhe transferimin e kompetencave dhe përgjegjësive drejt faktorit vendas. Është zhvillim shumë pozitiv dhe besoj se Kosova është në rrugën e drejtë dhe të sigurt drejt konsolidimit të demokracisë. Ju siguroj gjithashtu se mbështetja jonë ndaj Kosovës, jo vetëm si parti politike por edhe në prizmin diplomatik e qeveritar, do të vazhdojë të jetë e fortë.

Si duhen t’i përgjigjen Prishtina dhe Tirana zyrtare vlerësimit të fundit të kryeministrit serb Daçiç, se Kosova patjetër duhet të ndahet? Si duhet të veprojnë shqiptarët e Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës nëse bëhen realitet qëndrimet e qarqeve politike serbe për ndarje të Kosovës?

Që Kosova nuk do ndahet dhe se të ardhmen e vendit e vendosin qytetarët e saj. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe askush nuk duhet ta cenojë integritetin e saj territorial, qoftë edhe përmes deklaratave të papërgjegjshme. Shqiptarët, kudo qofshin, duhet të punojnë fort për të qenë sa më të bashkuar politikisht dhe të vazhdojnë kontributin e tyre pozitiv në vendet ku jetojnë. E ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit është në Bashkimin Evropian, dhe në këtë drejtim, shqiptarët do të ndjehen më afër njëri-tjetrit se kurrë më parë. Kufijtë e të kaluarës, në këtë kontekst, e humbasin rëndësinë e tyre.

Maqedonia jeton krizën e saj të radhës dhe këtë herë mospajtimi ka përfshirë edhe partneret e koalicionit VMRO-n e Gruevskit dhe BDI-në e Ali Ahmetit? Si e vlerësoni situatën në këtë shtet fqinj të Shqipërisë?

Nuk më takon të komentoj zhvillimet e brendshme në Maqedoni apo lëvizjet specifike të subjekteve politike. Kjo është një çështje që u përket partive politike atje. Por mund të them që çdo zhvillim politik në Maqedoni duhet t’i shërbejë klimës së mirëkuptimit dhe bashkëjetesës etnike, përmes respektimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.  Kujtoj se shumë është bërë gjatë këtyre viteve për përmirësimin e situatës në krahasim me të kaluarën. Nga ana tjetër, theksoj se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të një niveli të shkëlqyer bashkëpunimi dhe se shqiptarët e Maqedonisë janë garant i cilësisë së marrëdhënieve tona. Ne e mbështesim Maqedoninë në proceset integruese euro-atlantike, jo vetëm si një fqinj i yni, por edhe për të siguruar stabilitet e prosperitet për popullsinë shqiptare në vend. Me Maqedoninë ndajmë jo vetëm një hapësire gjeografike, por mbi të gjitha një të ardhme të përbashkët evropiane. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›