Berisha: Një ish trafikant drejton grevën e ish të përndjekurve. PS dëmshpërbleu financiarisht Ramizin dhe Nexhmijen, por jo ish të dënuarit e regjimit

Sipas kryeministri Berisha, vendosja e Skënder Tufës, një ish i dënuar për prostitucion, në krye të grevës, është bërë me qëllim për të diskredituar vuajtjet e ish të dënuarve në burgjet e diktaturës hoxhiste
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se s’do ketë asnjë negocim me grevistët e ish të dënuarve të regjimit komunist, pasi sipas tij, qëllimet e kësaj greve janë politike. Kreu i qeverisë tha se dëmshpërblimi i të përndjekurve po bëhet sipas mekanizmave ligjore, ndërsa theksoi se ky grup grevistësh nuk përfaqëson ish të përndjekurit e regjimit.
Për shefin e ekzekutivit grevës së stisur i kanë lënë si drejtues Skënder Tufën, një i dënuar për prostitucion 8 vjet më parë, me qëllim për të damkosur vuajtjen e të dënuarve politik.
“Greva është e stisur nga segmentet më të zeza. “Grevën e tyre e menaxhon një kriminel ordiner i vendosur, për të damkosur vuajtjen e të dënuarve politikë e stisur nga segmentet më të zeza. Nuk mund të zgjidhej një zëdhënës përveç Tufës që për vite të tëra ndërtoi bordellon në mes të Tiranës dhe shfrytëzonte gra e vajza për tu pasuruar vetë, nuk është rastësisht i përzgjedhur ai, është përzgjedhur me kujdesin më të madh. U bëj thirrje familjarëve të mos lejojnë njerëzit e tyre të shkelmohen dhe përlyhen nga individë si këta që s’kanë asnjë vlerë morali. Janë të zhveshur nga morali i tyre. Pafytyrësia e tij doli dhe u tha gazetarëve se ato prostitutat mi solli PD-ja, por i doli që PD ishte në opozitë në atë kohë”- theksoi kryeministri.
Berisha tha se përpjekjet për t’ia atribuuar Ramiz Alisë lirimin e të dënuarve politik në burgjet e diktaturës, është njësoj si t’i shtrish qafën xhelatit. “Ne ishim partia e parë opozitare që i imponuam regjimit lirimin e të dënuarve politike. Ata që ia ngarkojnë Ramiz Alisë këtë ata janë thjesht skllevër të tij. T’ia atribuosh Ramiz Alisë është njësoj si t’i shtrish qafën xhelatit”- tha ai.
Duke u ndalur specifikisht te kërkesat e ish të dënuarve, të cilët mohojnë të kenë përfituar për vitet e burgut, Berisha tha se secili prej tyre ka marrë këstin e parë të dëmshpërblimit, kanë përfituar apartamente banimi si dhe u janë dhënë përmes letrave me vlerë mbi 2673 sipërmarrje.
Sipas tij, një pjesë e grevistëve i kanë humbur shtëpitë dhe bizneset e tyre në lojëra fati apo nga konfiskimi i bankave për mos-shlyerje kredie. “Besim Valteri, grevist, ka përfituar shtëpinë, por e ka shitur në bixhoz. Ky zotëri u deklaronte mediave se s’kam marrë asgjë nga kjo qeveri diktatoriale. Shpëtim Karamuça ka marrë dy dhoma dhe një kuzhinë. Zotohej dhe betohej se s’kishte marrë kurrë gjë. Gjergj Ndreca privatizoi fabrikën e miellit, falimentoi. Nga pronar i impiantit të mbarështimit të derrave, merr kredi dhe banka ia konfiskon. Sigurisht të bëhesh bixhozxhi dhe të mos paguash borxhin, banka vepron, ligji vepron. Për të përndjekurit politik gjatë këtyre viteve janë dhënë përmes letrave me vlerë mbi 2673 sipërmarrje, nga fabrika mielli, vaji dhe ushqimesh, dyqane dhe automjete. I kanë merituar plotësisht. Kanë marrë këstin e parë. Kërkuan që ata të cilët janë mbi 85 vjeç t’i marrin të gjitha, ne i pranuam. Kësti i dytë do jepet sipas ligjit. Kjo është një faturë shumë e madhe, por ne jemi të qetë sepse kemi njohur një borxh që shoqëria shqiptare ka ndaj këtyre burrave dhe grave që vuajtën përndjekjen e regjimit. Ndaj dhe ne i qëndrojmë. Fatura është mbi 1 miliardë euro, por ajo po llogaritet sepse vazhdimisht futen kontingjente të reja. Shoqëria ka njohur borxhin, sikurse të përndjekurit politik kanë pranuar mekanizmin e vendosur”- theksoi Berisha.
Ai deklaroi më tej se gjatë 8 viteve të qeverisjes nga Partia Socialiste, ish të dënuarit e regjimit komunist kanë marrë zero lekë, ndërsa me miliona u dëmshpërblyen Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia apo dhe Arianit Çela. “Çfarë morën gjatë 8 viteve të PS? Morën zero. Sa mori Ramiz Alia për burgjet? Sa mori Nexhmije Hoxha, Arianit Çela? Të gjithë u dëmshpërblyen në shuma përrallore për vitet e burgut për të krimet gjatë komunizmit. Por, të përndjekurit s’morën asnjë lek nga Partia Socialiste. Ky grup i vogël përfaqëson Skënder Tufën, Edi Ramën, Gramoz Ruçin dhe bamirësin e tyre. Thirrja ime ndaj familjarëve është t’i tërheqin nga greva. Të pranosh si menaxher të grevës një trafikant, kjo është tragjike. Atë e kanë vendosur me qëllim si përpjekje për të diskredituar rezistencën heroike, qëndresën burrërore të qindra qytetarëve në burgjet e tmerrshme të diktaturës hoxhiste. Kjo është e vërteta për grevën. I garantoj se do t’i respektoj deri në fund”- theksoi më tej kryeministri Berisha.
...