E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Populli votoi qartë kundër arrogancës dhe vetëkënaqësisë

Meta: Populli votoi qartë kundër arrogancës dhe vetëkënaqësisë

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka folur pasditen e sotme në mbledhjen e kryesisë së LSI-së.

Meta në fjalën e tij ka falandereruar të gjithë përkrahësit e Lëvizjes socialiste për integrim dhe të gjithë qytetarët që votuan për Aleancën e majtë.

Ky sukses i merituar që ne korrëm, sjell një përgjegjësi më të madhe për të gjithë ne, që do të thotë më shumë urtësi dhe më shumë përkushtim, si dhe një angazhim për të rritur besimin e qytetarëve tek mazhoranca e re dhe LSI-ja.

Mesazhet e qytetarëve kanë qënë të shumta të qarta dhe kuptimplota dhe ne u votuam se ditëm të përcjellim tek qytetarët mesazhin e stabilitetit dhe domosdoshmërisë së bashkëpunimit në jetën politike në mënyrë që vendi të ecë më shpejt drejt forcimit të rendit ligjor dhe juridik, si dhe drejt integrimit.

Nuk është koha për eufori dhe mendjemadhësi pasi ne kuptuam se kjo ishte një votë e qartë kundër arrogancës dhe vetëkënaqësisë. Është koha për përulësi ndaj qytetarëve dhe për një shërbim të përkushtuar për forcimin dhe lartësimin e institucioneve, si dhe për të përmirësuar në thelb qeverisjen e vendit e cila duhet të jetë një qeverisje gjithëpërfshirëse, u shpreh Meta

Meta: Shqipëria brenda këtij viti do të meritojë statusin e vendit kandidat

Kreu I LSI-së në fjalën e tij u shpreh gjithashtu se me anë të mënyrës së re të qeverisjes që do të ofrojë bashkëpunimi PS-LSI si dhe duke shpresuar dhe në një bashkëpunim me opozitën e re, Shqipëria brenda këtij viti do të mund të marri statusin e vendit kandidat për në BE.

Është koha për një ndryshim të rëndësishëm të mënyrës si duhet bërë politika. Në këtë vend mbret duhet të jetë ligji dhe qytetari dhe jo qeveritarët dhe politikanët. Ne duhet të jemi në shërbim të ligjit dhe qytetarëve dhe kjo është e vetmja rrugë që ne të meritojmë besimin që dhanë qytetarët për LSI-në.

Besoj në një bashkëpunim edhe në opozitën e re në interes të integrimit të vendit, dhe në interes të pjesëmarrjes më aktive të shoqërisë sonë në vendimarrjet që kanë të bëjnë me fatet e vendit, sepse duhet të heqim dorë nga politika përjashtuese dhe antagonuese e cila i ka humbur shumë kohë vendit.

Unë kam besim se duke ecur në këtë mënyrë Shqipëria brenda këtij viti do të meritojë statusin e vendit kandidat, tha kreu i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›