E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta Presidenti pjese e marreveshjes me PD

Kandidatura e Ardian Vishës dhe mënyra se si u zgjodh në Kuvend nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u shndërruan në temën kryesore të aktualitetit politik shqiptar gjatë së enjtes.

Kjo nuk ndodhi vetëm prej debatit të ashpër që mbizotëroi në Parlament, por mbi të gjitha sepse kandidati i maxhorancës, Elis Çefa, u zgjodh në këtë detyrë me vetëm 71 vota, njëra prej të cilave e Kastriot Islamit dhe vetëm një nga katër prej Lëvizjes Socialiste për Integrim, ajo e ministrit Naço.

Pyetja që të gjithë analistët shtrojnë pas këtij zhvillimi është a kemi një “rrjedhje” votash nga shumica dhe cili është qëndrimi që do të mbahet në zgjedhjet e ardhshme, shumë më të rëndësishme, ato të presidentit?

Dhe në këtë aspekt, pyetja që të gjithë shtrojnë është: Lëvizja Socialiste për Integrim, partnerja e domosdoshme për mbajtjen e kësa qeverie në këmbë, çfarë qëndrimi do të mbajë në zhvillimet e ardhshme politike në vend?

Për të zbardhur të gjithë dilemat dhe qëndrimet e kësaj partie me një rol kyç në politikën shqiptare, i ftuar në studion e “Top Story”-t, emisionit të përjavshëm politik të Sokol Ballës, ishte lideri i LSI-së, Ilir Meta.

Top Story – Me një procedurë, ende të paqartë, u zgjodh Elvis Çepa në rolin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Cili është komenti juaj?
Meta – Dua të theksoj rëndësinë që ka ndërtimi i disa raporteve më pak të tensionuara politike, për zgjedhje të tilla, që kanë të bëjnë me emërime për sistemin gjyqësor, që duhet të jetë sa më i pavarur nga partitë dhe politika. Në këtë këndvështrim, LSI ka patur gjithmonë qëndrime të çliruara, duke i konsideruar si qëndrime personale dhe jo të vijës politike emërimet në drejtësi. Mendoj se kandidati i opozitës u paraqit me shumë dinjitet, shprehu bindjet për shumë çështje të ndryshme në komisionin parlamentar, por e keqja e opozitës ishte se u përpoq të shndërronte votimin në një sfidë për shumicën. Lidhur me mospjesmarrjen në votime timen dhe dy kolegëve të tjerë ka patur shumë komente, por LSI nuk kishte asnjë vendim kryesie apo kolegjial të deputetëve për të mbajtur një linjë të caktuar. Mungesa e pjesëmarrjes mund të shpjegohet me rrethanat që u zhvilluan ngjarjet, pasi në fillim u kërkua një votim i fshehtë elektronik, më pas opozita kërkoi ndryshimin në votim me kuti dhe ndërsa ne ishim duke u përpjekur të regjistroheshim të parët, për shkak të një impenjimi politik, u hap votimi dhe kaloi kandidatura. Mosvotimi im, në këtë kuadër, nuk ishte i paramenduar.

Top Story – Si do të kishte qenë vota juaj nëse do të kishit marrë pjesë në këto votime?
Meta – Vota ime do të kishte qenë absolutisht e fshehtë. Kush më ka kërkuar mendim në Parlament i kam thënë që të gjykojë vetë, pasi nuk kam dashur të ndërhyj. Dua të theksoj se deputetët tanë, në shumë çështje që nuk konsiderohen të natyrës politike, janë të lirë të shprehin lirshëm qëndrimet e tyre në Kuvend.

Top Story – Por, është folur se ju keni patur kontakte direkte me kandidaturën e opozitës, Ardian Vishën?
Meta – Për Vishën, në të shkuarën mund të kem patur disa paragjykime nga mosnjohja, por tashmë mund të them se ndaj vlerësime shumë pozitive për integritetin e tij personal.

Top Story – Por, a mendoni se fitoi kandidatura më e mirë?
Meta - Këtë nuk mund ta them. Besoj, gjithsesi, se të dy figurat ishin shumë të kualifikuara për të kryer rolin e nënkryetarit të KLD-së.

Top Story - A ju duket normal ky lloj votimi, ashtu si ai u krye?
Meta – Natyrisht, unë mendoj që votimi normal do të kishte qenë ai me kuti, ku çdo deputet, në mënyrë nominale merr pjesë në proces. Nuk e di përse opozita e kundërshtoi këtë mënyrë votimi, sidomos pasi u krijua edhe një komision për numërimin. Nuk është kjo situata në të cilën bëhen votimet, por unë s’mund të bëj gjykatësin e opozitës këtu. Për fat të keq, nuk është hera e parë që krijohen tensione artificiale dhe të panevojshme. Megjithatë, më vjen keq që këto raste të interpretohen si lëkundje të maxhorancës, numrave në Parlament apo të vetë qeverisjes.

Top Story – Reagimi i Ramës ishte i menjëhershëm pas seancës parlamentare. Lideri i opozitës vlerësoi se sot qeveria nuk i ka më votat për të qeverisur vendin dhe janë pikërisht votat e LSI ato që e lejojnë atë të ushtrojë mazhorancën. A është vërtetë kështu?
Meta – Pa dyshim, votat për të funksionuar si maxhorancë janë dhe mendoj se gabimi i opozitës është që përpiqet të krijojë situata të paqena. Më vjen keq për opozitën që shfrytëzon çdo mundësi për të tensionuar atmosferën politike në vend dhe që sposton debatin në politikë dhe jo në të mirën e vendit. Reagimi i Zotit Rama, është një reagim me ngarkesa të theksuara emocionale, sepse varet edhe se si i është raportuar situata e përfaqësuesve të tij parlamentar. Me sa di unë, ishte rënë dakord që votimi të bëhej i fshehtë, ishte krijuar një komision për këtë qëllim. Më pas kjo gjë ka ndryshuar dhe është bërë votimi elektronik dhe ajo që mendoj unë se në qoftë se zoti Rama dhe Berisha do të takoheshin pa praninë e kamerave, mendoj se do të ishte diçka shumë pozitive sepse vendi ka nevojë për një përgjegjësi maksimale. Momenti ku ndodhemi ka nevojë për vendime sa më të përgjegjshme dhe të përbashkëta, pasi Shqipëria është shtëpia e të gjithëve

Top Story – A mund të luani ju personalisht, për vetë profilin që keni, rolin e paqëtuesit të maxhorancës me opozitën?
Meta – Nuk dua të marr përsipër këto gjëra, por unë mendoj se është koha që të dy palët të marrin më shumë përgjegjësi në mënyrë që gjithçka të sqarohet në kohë dhe të mos shkojmë në situata të paarsyeshme si kjo e sotme, pasi vendi ka nevojë më shumë se kurrë për qëndrueshmëri politike. Këtu nuk kuptoj stabilitetin e kësaj qeverie, që nuk është një qëllim në vetvete, por i referohem qëndrueshmërisë ekonomike dhe asaj institucionale, të domosdoshmne për t’iu shmangur krizës ekonomike, që ka prekur pikërisht partnerët tanë kryesorë.

Top Story – Në këtë kuadër, a mund të përsëritet në Shqipëri një skenar i ngjashëm me atë grek?
Meta - Nuk mendoj se rrezikohemi seriozisht, por është e domosdoshme të reduktojmë sa më shumë pasojat negative të krizës ekonomike, pasi impaktet ekzistojnë. Vendet ku shqiptarët emigruan sot janë përkulur nga kriza dhe s’mund të themi që jemi një ishull i lumtur, ndonëse është e vërtetë që është treguar qëndrueshmëri, rezistencë në efektet e kësaj krize. Duhet të vazhdojmë të përpiqemi të krijojmë një klimë sa më aktive për investitorët dhe për biznesin, që s’ndahet në parti, pasi nga ai lidhet mirëqënia e të gjithëve.

Top Story – Ilir Meta është njeriu i dytë politik i maxhorancës dhe edhe një prej politikanëve më me peshë në dekadat e fundit. Megjithatë, duhet të bëjmë një lexim të asaj që ndodhi sot në Parlament, ku LSI votoi 3+1. Si e gjykoni votën personale të Naços pro maxhorancës? Madje, pati edhe një spekulim se për të kishte shtypur butonin Olldashi, por ai e mohoi kategorikisht diçka të tillë.
Meta - Në qoftë se unë duhet të përsëris edhe një herë atë që thashë më lart do ta përsërisn, por për Zotin Naço ju mund ta pyesni vetë si ka vlerësuar zgjedhjen e tij. Sidoqoftë, mund t’iu ritheksoj se nuk ka patur një vendim politik partiak të LSI-së dhe nuk do të ketë ndonjëherë për kandidaturat që lidhen me gjyqësorin, pasi gjykomë se duhet të zgjidhet më i miri për të respektuar pavarësinë e drejtësisë dhe jo kandidati i preferuar i një partie apo një tjetre.

Top Story – Megjithatë, ka dy mënyra për të kuptuar votën e sotme të LSI. E para, një mënyrë presioni për t’i treguar Berishës se është partia juaj ajo që e mban në pushtet dhe e dyta, që Berisha i ka tashmë 71 vota edhe pa ndihmën tuaj.
Meta - Nuk është fare e rëndësishme, për t’u ndalur unë në këto interpretime apo komente, që është e drejta juaj si gazetar dhe është këndvështrimi juaj, prandaj dhe jeni këtu në këtë televizion. Dikush tjetër ka një interpretim tjetër, por pyetjes suaj do t’i përgjigjem me korrektesë. S’ka patur asnjë ditë të vetme që kur unë kam konfirmuar koalicionin, që për shkak të një raporti numerik, unë apo LSI si forcë, të kemi bërë presione për të arritur qëllime të caktuara në momente të ndryshme, pasi kjo nuk është pjesë e vizionit tonë politik. Për çështje që s’kemi qenë dakord, këtë e kemi shprehur në Parlament. Kur kemi gjykuar të marrim një qëndrim tjetër, këtë e kemi bërë në mënyrë publike, ashtu siç është që kur kemi rënë dakord. Nuk ekziston asnjë lloj presioni nga ana jonë. Nëse 71 vota Berisha i bën në një formë apo një tjetër, nuk është një problem i yni shqetësues. Në këtë rast, ne kishim bërë të qartë se ishte pjesë e qëndrimit tonë që çdo deputet të shprehte vullnetin e tij dhe kështu ndodhi.

Top Story – Më parë gjatë javës, në Korçë, folët dhe përmendët fjalën kompromis për zgjedhjen e presidentit.
Meta – Dy janë shtyllat kryesore, ku unë mendoj se duhet bazuar ky proces. Një shtyllë kryesore është kushtetuta, pasi në çdo rast, është e domosdoshme dhe e patjetërsuseshme. Edhe institucioni i presidentit lidhet me kushtetutën dhe është një garant i saj pasi zgjidhet. Duke patur parasysh këtë raport, kemi theksuar dhe theksojmë që është e rëndësishme që procesi të realizohet në një mënyrë sa më konstruktive që të jetë e mundur, prandaj gjykojmë dhe kontribuojmë për ta bërë këtë proces sa më konstruktiv. Është pikërisht kompromisi shtylla e dytë ku ne mendojmë se duhet të bazohet procesi.

Top Story – Por, si mund të flitet për kompromis kur kryeministri Berisha thotë publikisht se presidenti do të jetë pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike?
Meta - Nuk dua të komentoj qëndrimet e Berishës në momente dhe rrethana të caktuara, pasi është e drejta e tij të mbajë atë qëndrim që konsideron si të arsyeshëm. Ne kemi një koalicion me Partinë Demokratike, ku një prej elementëve është bashkëpunimi për presidentin, pasi është një pikë kryesore e marrëveshjes. Në këtë drejtim ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me ta, ashtu sikurse mendojmë që është në interes të vendit të ketë një bashkëpunim sa më të gjerë.

Top Story - Cfarë mekanizmi do të impononit ju për të arritur këtë qëllim?
Meta - Nuk jemi këtu për të imponuar mekanizma apo për të marrë përsipër çdo lloj zgjidhje, por jemi për të shprehur vullnetin tonë në mënyrë që ta realizojmë atë që u theksua më parë, qëndrueshmërinë, jo vetëm në kuadrin e një jete tepër të gjallë politike, por edhe të një përgjegjësie të përbashkët. Është fakt që kemi humbur dy vjet kohë për të marrë statusin e vendit kandidat nga BE dhe kjo nuk është diçka pozitive. Janë disa prioritetet që duhen adresuar, disa janë realizuar me vështirësi e vonesa, të tjerë duhet të realizohen sa më shpejt. Së dyti, jemi në një vit shumë të rëndësishëm, 100-vjetori i pavarësisë dhe merr vëmendje më të madhe në këtë aspekt edhe në planin ndërkombëtar, përveçse mendoj që të gjithë shqiptarët, edhe për këtë arsye duan të shohin në këtë përvjetor një Shqipëri sa më të qëndrueshme, pa i kushtuar rëndësi kush është në pushtet dhe në opozitë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›