E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Protesta e PS, pjesëmarrje e ulët

Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së mbështetën në mënyrë unanime të gjithë veprimin politik dhe përfaqësimin e kësaj force politike në qeverinë e integrimit. KDK-ja e LSI-së ka përshëndetur reflektimet dhe përfshirjen në programin e qeverisë të prioriteteve programore të LSI dhe ka përcaktuar se axhenda e integrimit do të jetë prioriteti madhor i qeverisjes dhe i rolit madhor të LSI-së në qeveri. Gjithashtu, KDK ka vlerësuar se integrimi dhe në mënyrë specifike problemi i liberalizimit të vizave, do të jetë prioritet i padiskutueshëm i LSI në të gjithë angazhimet e saj. Në këtë mbledhje, KDK ka miratuar kalendarin politik të analizave në të gjitha strukturat e LSI-së dhe të veprimeve politike për forcimin e mëtejshëm të strukturave të LSI-së të çdo niveli. Duke shfrytëzuar mbledhjen e KDK-së, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka komentuar protestën e opozitës të bërë dy ditë më para në bulevardin para Kryeministrisë. Meta tha se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në të është tregues se ata tashmë janë të lodhur nga iniciativa të tilla, të vjetruara dhe që kanë si qëllim dëmtimin e procesit integrues të Shqipërisë. Gjithashtu, kryetari i LSI-së i ka bërë thirrje Partisë Socialiste të rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë për të dhënë kontributin e saj në reformat kyçe për vendin. "Pjesëmarrja e ulët tregon se vetë socialistët nuk mund të mbështesin një politikë shumë të vjetër që kërkon ta kthejë Shqipërinë 10 vjet më pas, që është provuar se nuk funksionon dhe që është kundër edhe vetë interesave të anëtarëve të PS dhe të gjithë opozitarëve për integrimin europian të vendit apo për liberalizimin e vizave", ka deklaruar Meta gjatë mbledhjes së KDK-së. Duke treguar se ligji është mbi të gjithë, kryetari i LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të partisë u bëri një apel të qartë të gjithë përfaqësuesve të kësaj force politike në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. "Do të distancojmë çdo rast ku përfaqësuesit e LSI-së nuk do jenë korrektë me ligjin, detyrën dhe transparencën e vendimmarrjes dhe në të gjitha rastet ku përfaqësohet imazhi i LSI-së për interesa të ngushta apo korruptive", ka theksuar Meta. Në fund të mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili ka bërë një analizë të detajuar të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe organizimit të ri për procesin e pjesshëm të zgjedhjeve lokale.

e.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›