Meta: Qeveria e re moderne, Berisha të pushojë n’mal

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha ka nevojë për pushime malore. Deklarata vjen nga Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili ditën e sotme ka mbledhur në një takim për rreth 1 orë, 5 ministrat e kabinetit të ri qeverisës, nga radhërt e LSI-së.
Në takim me Metën, ministrat e LSI kanë paraqitur idetë e tyre për dikasteret që do drejtojnë.
Ilir Meta ka mbajtur një konferencë për shtyp, pas takimit me përfaqësuesit e LSI në qeverinë e re, ku ka shprehur mbështetjen e tij për qeverinë e re, ku padyshim edhe LSI do japë kontributin e saj. Edhe pse është kohë pushimesh, tha Meta, LSI punon për sfidat e reja që e presin.
“Shpreh mbështetjen time më të plotë për qeverinë e re dhe angazhimet e saj, do jetë një qeveri që do lerë gjurmë në modernizimin e vendit, në përmirësimin e qeverisjes. në efikasitetin e realizimit të reformave. Kjo qeveri do sjellë një politikë të re dhe emancipuese, më humane, një politike më integruese. Sot ditë pune u takuam me përfaqësues të ndryshëm të LSI, disa janë pjesë e kabinetit, LSI vazhdon angazhimet e saj edhe pse është një periudhë pushimesh, të gjithë janë në punë”, tha Meta.
Ai theksoi se programi i qeverisë së re do bëhet publik në kohën e duhur.
Kreu i LSI-së bëri me dije se qeveria e re do bëjë transparencën e plotë të financave publike, të cilat, sic tha Meta kanë degraduar në mënyrë dramatike, ndërsa shtoi se do përballojë me sukses këtë situatë të krijuar.
“Finacat publike kanë degraduar në mënyrë dramatike, sidomos gjatë muajve para fushatës elektorale vetëm në funksion të kësaj fushate, por jam i bindur se publikut do t’i jepet një transparencë e plotë e situatës aktuale financiare në vend dhe se qeveria e ardhshme do dijë të përballojë me sukses këtë situatë dhe të vijojë me përmbushjen e objektivave të saj qeverisëse për 4 vitet e ardhshme”, tha ai./Indeksonline/